Protesta e opozitës në Pejë: Qeverisja e keqe po mbrohet duke burgosur opozitën

16/12/2015 00:00

Ashtu siç ishte paralajmëruar, 3 partitë opozitare në Kosovë; Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën; kanë mbajtur këtë të mërkurë një protestë në qytetin e Pejës.

Protesta e sotme ka nisur prej orës 12 të mesditës dhe zhvillohet sërish kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, njëra për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tjetra për përcaktimin e vijës kufitare me fqinjët malazezë.

Ajo vjen pas protestave të javës së kaluar, të zhvilluara në Gjakovë dhe Gjilan, ndërsa do të pasohet nga protesta e së enjtes në Malishevë, ndërsa të shtunën opozita do të ndalet në Prizren.

Në emër të “Nismës për Kosovën” e ka marrë fjalën Jakup Krasniqi, pasi kryetari Limaj ndodhet në Prishtinë për seancën e radhës të gjykimit ndaj tij, për shpërdorim detyre gjatë kohës që ishte ministër i Transportit.

“Sot jemi në qytetin e besa-besës, në Pejën e Haxhi Zekës, që t’i kundërshtojmë marrëveshjet e padrejta. Sot kemi 101 arsye për protestë kundër qeverisjes së keqe, që dashurinë e qytetarëve e ka kthyer në dëshirë për ikje nga Kosova. Jemi këtu të kërkojmë mbështetje për fatin e brezave, jo për fatin tonë politik, që së bashku t’u themi jo marrëveshjeve. Isai e Hashimi, nëse kanë prona të veta mund t’i falin. Ndryshimet i sjellin qytetarët e bashkuar. Këta qeveritarë, që kanë qeverisur keq, janë vënë në ndjekje dhe po burgosin opozitarët, ndaj kërkojmë dorëheqjen e tyre”, tha Jakup Krasniqi, gjatë fjalimit para qytetarëve nga rajoni i Dukagjinit.

Në protestë marrin pjesë edhe deputetet që u arrestuan dy ditë më parë, dhe që u liruan me detyrim paraqitjeje në polici, Aida Dërguti e VV dhe Time Kadrijaj e AAK-së.

“Së bashku jemi këtu, sepse republika po rrezikohet dhe territori po i copëtohet. Pushtetet tona kanë ditur edhe të gjunjëzohen, siç është dorëzuar ky pushtet i tanishëm. Por populli nuk është dorëzuar asnjëherë. Mbi 200 mijë qytetarë nënshkruan peticionin, 35 mijë protestuan në Prishtinë. Këta po i thonë Hashimit e Isës, se marrëveshjet nuk kalojnë. Ata të dy nuk mund të falin tokat tona. Miqve të tyre, Vuçiçit e Daçiçit t’u japin pronat e tyre, sigurisht nëse u mbetet ndonjë pasuri pasi t’u konfiskohet. Isa e Hashimi kanë 100 fytyra; mes tyre një për Serbinë, një për Gjukanoviçin, një për ndërkombëtarët dhe një tjetër për qytetarët. Janë kokë zaptuesish për të mbrojtur veten, sepse kanë probleme policore. 13 deputetë kaluan nëpër duart e policisë dhe të gjykatave. Mbi 25 aktivistë janë sot në burg. Njëri prej tyre, Besnik Zeqiri nga Peja, u arrestua para tri ditësh, vetëm se po organizonte këtë tubim në Pejë. U themi sërish se ‘Zajednica’ nuk do të lejohet dhe tokat nuk do të falen”, tha Visar Ymeri.

“Peja është vend i lirisë, i njerëzve të lirë që janë flijuar për lirinë tonë. Sot i kërkojmë Europës, që të na njohin edhe 5 vendet që nuk na kanë njohur ende, dhe të na lejojnë të udhëtojmë lirshëm në Europë dhe të na anëtarësojnë më shpejt në familjen e BE-së. Amerikës i themi prej këtu se ne e duam dhe e nderojmë, por ju lutemi të na ndihmoni t’i ndalojmë këto marrëveshje të dëmshme për Kosovën, e këtë mesazh ua dërgojmë edhe bashkatdhetarëve tanë, të cilët na kanë ndihmuar gjatë luftës, të na ndihmojnë edhe tani përballë këtyre marrëveshjeve. Kam një mesazh për ata që marrin rrogë prej Hashimit e Isës, qofshin ata ministra apo çfarëdo: mos harroni se shefat tuaj do ju marrin në qafë dhe për këtë arsye thuajini ‘Jo’ shefave, sepse rrogëtarët nuk i duhen askujt. Isa dhe Hashimi janë pengje të marrëveshjeve, ndaj dhe nuk e shkarkojnë Murat Mehën”, tha Haradinaj.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel