Europa duhet të kthejë sytë nga “fëmija problematik”, Ballkani

16/12/2015 00:00

Problemet e shumta e kanë kthyer Ballkanin sërish në qendër të politikës europiane. Siç thotë analisti Ivan Krastev, për “Deutsche Welle”, deri pak kohë më parë Brukseli mendonte të promovonte Ballkanin dhe të merrej me të kur të kishte kohë.

Por gjërat rrodhën ndryshe. Kriza financiare greke, politika agresive e Rusisë, tensionet rreth furnizimeve energjetike ruse në Ballkan, vala e refugjatëve nga Lindja e Mesme nëpërmjet të ashtuquajturit “itinerar ballkanik”, qindra e mijëra azilkërkues nga Ballkani Perëndimor dhe emigrantët “ekonomikë” nga Bullgaria dhe Rumania; të gjitha këto e kanë kthyer rajonin sërish në qendër të politikës europiane.

Vëzhguesit janë të një mendimi se “fëmija problematik”, pra Ballkani, ka nevojë për më shumë vëmendje dhe se, kjo është edhe në interes të të gjithë Europës. Në veçanti, fluksi i emigracionit nga rajoni e bën të domosdoshme një politikë të re.

“Ne duhet të bisedojmë me këto vende. Jo vetëm të flasim për to, por të merremi me ato”, thotë Dushan Relijç, nga fondacioni “Wissenschaft und Politik”. Gjermania është vendi i BE-së, që pranon shumicën e të ashtuquajturve emigrantë “ekonomikë” nga Rumania dhe Bullgaria – mbi 200 mijë në dy vitet e fundit. Shumica e tyre janë romë, por edhe njerëz të varfër, që duan të largohen nga mungesa e perspektivave në vendet e tyre.

Problematike është gjendja sidomos për të rinjtë, që nuk gjejnë punë. “Protesta e vitit 2014 në Bosnjë, ajo e pranverës së vitit 2015 në Maqedoni, si dhe protestat aktuale në Mal të Zi kërkojnë një kulturë të re politike dhe perspektivë të re ekonomike, demokratike dhe kushtetuese”, thotë Johanna Deimel.

E për këtë perspektivë duhet të angazhohen si vendet e rajonit, ashtu dhe BE-ja, sepse përndryshe presioni për emigrim do të vazhdojë.

Emigracioni masiv nga dhe nëpërmjet Ballkanit ka vënë në fokus edhe çështjen e kufijve të jashtëm të BE-së: ajo duhet të vendosë se cilat vende do të anëtarësohen dhe sesi duhet të mbrohen kufijtë e rinj të jashtëm.

Jo vetëm BE, edhe NATO duhet të mbrojë kufijtë e saj në Ballkan. Gjatë vitit 2015, anëtarët e NATO-s, Rumania dhe Bullgaria kanë vënë vazhdimisht në dukje se, konflikti në Ukrainë i ka vënë ata në një situatë potencialisht shumë të rrezikshme.

Top Channel