Veseli: Kosova nuk e meriton izolimin; na ndëshkoni ne dhe jo qytetarët

16/12/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka quajtur lajmin e ditës së martë mbi pezullimin e liberalizimit të vizave “një lajm aspak të merituar”, sepse Kosova – sipas tij, – është i vetmi vend në Europë që është i izoluar.

“Dua të pyes Bashkimin Europian, përse duhet të mbahemi të izoluar? A jemi ne shumë të veçantë, apo si është puna? Nëse është çështja se ka korrupsion, atëherë le të na ndëshkojnë për korrupsion neve, ose le të na ndalin vizat ne politikanëve. Le t’ia nisin prej meje për të vijuar me të gjithë politikanët e tjerë, le të na i marrin vizat që kemi ne. Por qytetarëve, prindërve që vdesin pa i parë fëmijët e tyre le t’ua japin vizat dhe të shkojnë t’i vizitojnë fëmijët e tyre”, tha Veseli.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën e parë vjetore për Partneritet, midis Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile, Veseli foli gjithashtu edhe për gjendjen e krijuar në vend, ku tha se parlamentarët nuk janë duke kaluar një situatë që i bën ata krenarë, dhe se Kuvendi është duke paguar një çmim shumë të lartë, duke shpresuar se në fund do të bëhet një zgjidhje e mirë.

“Ftoj opozitën të bashkëpunojmë për ruajtjen e transparencës dhe të kthehen brenda institucioneve për dialog”, tha kryeparlamentari kosovar, Veseli.

Kreu i Kuvendit shprehu gatishmëri për të bashkëpunuar me shoqërinë civile, për një zhvillim sa më të mirë ekonomik dhe zhvillim euroatlantik. Një përkushtim për të përforcuar këtë bashkëpunim shprehu edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumbere.

Top Channel