Tjetër aktakuzë për Sami Lushtakun, këtë herë për korrupsion

16/12/2015 00:00

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku do të gjendet sërish në bankën e të akuzuarve, i dyshuar për një vepër penale që ndërlidhet me korrupsionin.

Këtë herë bëhet fjalë për një tender në vlerë 6 milionë euro të Koorporatës Energjetike të Kosovës, të cilin e kishte fituar kompania e djalit të vëllait të tij, Milazim Lushtaku.

Kjo është një lëndë e vjetër gjyqësore, për të cilën Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në janarin e kaluar, por që e kishte hedhur poshtë Gjykata e Apelit si jashtë afatit të duhur kohor, ankesë kjo e palës mbrojtëse.

Por, sipas njoftimit të EULEX-it këtë të enjte, lënda i është kthyer Gjykatës Themelore të Prishtinës për të proceduar me shqyrtimin gjyqësor.

“Më 26 nëntor 2015, një kolegj i përzier i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës anuloi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe pranoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga zyra e prokurorit të Shtetit. Gjykata e ndryshoi vendimin e Gjykatës së Apelit, me anë të të cilit aktakuza ishte shpallur jashtë afatit”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Sipas aktakuzës, në këtë rast janë kryer disa vepra të ndryshme penale, si ajo e “mashtrimit”, “falsifikimit të dokumenteve”, “shpërdorimit të detyrës zyrtare” ose “autorizimit dhe lidhja e kontratave të dëmshme”.

Përveç kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, të akuzuarit e tjerë janë kryetari i organit shqyrtues të prokurimit, Hysni Hoxha, drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjuakaj, shefi i prokurimit në këtë kompani publike, Driton Pruthi, pronarët e kompanisë “SC”, Milaim Lushtaku dhe Esat Tahiri, si dhe eksperti i OSHP-së, Azem Duraku.

Lushtaku po vuan aktualisht një dënim për krime lufte në burgun e Dubravës.

Top Channel