Kupa e Italisë, Juve e Napoli kalojnë në çerekfinale

17/12/2015 00:00

Juventusi dominon derbin e qytetit përballë Torinos duke siguruar biletën e çerekfinales së Kupës së Italisë. Fituesit e këtij trofeu sezonin e fundit nuk e vunë asnjëherë në dyshim fitoren në “Juventus Stadium” ku dominuan në lojë dhe rezultat duke e mbyllur 90 minutëshin me rezultatin 4-0.

Ishte Simone Zaza ai që hapi serinë e golave në minutën e 28 duke shtruar rrugën e skuadrës së Allegrit. Ish-sulmuesi i Sassuolos sigloi edhe rrjetën e dytë në minutën e 51 pak sekonda përpara daljes së Cristian Molinaros me karton të kuq.

Në takimin me golin nuk mungoi as talenti argjentinas, Paulo Dybala, i cili shënoi në minutën e 73, ndërsa Pogba mbylli llogaritë në minutën e 82. Një fitore që konfirmon momentin e mirë të bardhezinjve të cilët do të ndeshen në çerekfinale me fituesen e çiftit Lazio-Udinese.

Edhe në sfidën tjetër mes Napolit e Veronës vendasit nuk zhgënjyen. Ishte skuadra e Sarrit doli fituese nga “San Paolo” pas një takimi pak të luftuar pasi El Khadouri shënoi që në minutën e katërt, ndërsa Mertens e Callejon realizuan nga një tjetër gol për t’i fiksuar shifrat në 3-0. Në raundin tjetër Napoli do të sfidojë Interin.

Top Channel