Botërori i Klubeve, Suarez çon Barcelonën në finale

17/12/2015 14:20

Barcelona realizoi të gjitha pritshmëritë dhe kualifikohet për në finalen e Botërorit të Klubeve, që do të luhet ditën e dielë. Skuadra katalanase kaloi pa shumë probleme në gjysmëfinale Guangzhoun, duke e mposhtur me rezultatin 3-0. Në këtë ndeshje Luis Enriques iu desh të bënte pa Neymar të dëmtuar dhe Lionel Messin, i cili në çastet e fundit shfaqi probleme me veshkat dhe kjo bëri që repartin e sulmit ta merrte përsipër Luis Suarez, i cili luajti përkrah Munir dhe Iniestës.

Uruguajani vërtetoi edhe një herë se pseudonimi i tij “El Pistolero” është i goditur, duke shënuar të 3 golat për kampionët e Evropës. Guangzhou u mbajt mirë deri në minutën e 39, kur Luis Suarez i dha avantazhin skuadrës së tij. Me rezultatin 1-0 u mbyll edhe pjesa e parë e ndeshjes. Në fillimin e 45 minutave të dyta, Luis Suarez gjeti edhe golin e dytë pas një pasimi të saktë të Iniestës.

Historitë e kësaj ndeshjeje nuk u mbyllën këtu. Në minutën e 67, Munir fitoi një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Suarez, i cili plotësoi tregolëshin e tij për të barazauar Pelenë, i cili deri tani ishte i vetmi që kishte shënuar 3 gola në një ndeshje të një  aktiviteti të tillë, që në atë kohë njihej si Kupa Interkontinentale.

Barcelona do të luajë në finalen e Botërorit të Klubeve ndaj River Plate, ku do të kërkojë fitoren e trofeut të 5 për këtë sezon.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel