Pse nuk u kap terroristi i Parisit? Shkak Kodi Penal belg

17/12/2015 17:45

Mbrëmjen e 15 nëntorit, dy ditë pas sulmeve të Parisit, i kërkuari numër një për masakrën, Salah Abdeslam, me shumë gjasa ishte lokalizuar në lagjen e tarzuar Molenbek të Brukselit.

Por arrestimin e tij e pengoi pikërisht instrumenti në shërbim të drejtësisë, Kodi Penal belg, i cili ndalon kontrollet policore nga ora 23 e darkës deri në 5 të mëngjesit.

Pohimin befasues, sipas “Corriere della Sera”, e bëri vetë ministri belg i Drejtësisë, gjatë programit “Faroek” në televizionin VTM.

Përpos kësaj, rrjeti televiziv publik RTBF pretendon gjithashtu se Salah ishte poshtë hundës së policisë dhe arriti të shpëtonte i fshehur ndoshta në një mobilje apo një kamion transporti të përdorur gjatë një shpërnguljeje në rrugen Delaunoy të lagjes Molenbek, ku qe fshehur pas sulmeve.

Një tallje pra me forcat speciale që nuk ndërhynin dot e që për të vepruar duhet të prisnin të agonte dita. Për herë të fundit, Abdeslam është parë disa orë pas ngjarjeve të Parisit që morën 130 jetë njerëzish.

Fati duket se e ka ndihmuar të kërkuarin edhe në kalimin e kufirit. 15 minuta më shpejt dhe sot Abdeslami do të ishte prapa hekurave, pohoi po për VTM-në ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon.

Policët e kontrolluan kartën e tij të identitetit, por baza e të dhënave mesa duket, nuk ka qenë ende e aktivizuar plotësisht. Një çerek ore më vonë do të kishte bërë të gjithë ndryshimin.

Sulmet terroriste të 13 nëntorit në kryeqytetin francez shërbyen si shtysë për forcimin e bashkëpunimit dhe në një shkëmbim më të mirë e më të shpejtë të të dhënave mes agjencive europiane të inteligjencës, që kanë dështuar të bashkëveprojnë me sukses jashtë kufijve në përpjekjet për goditjen e rrjeteve ndërkombëtare xhihadiste.

Top Channel