Kundërshtia për dy marrëveshjet, protestë e opozitës në Malishevë

17/12/2015 00:00

Malisheva ka qenë ndalesa e radhës e opozitës kosovare, për të kundërshtuar dy marrëveshjet problematike, atë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe përcaktimin e kufirit me Malin e Zi.

Kryetari i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, i cili vjen nga kjo komunë, tha para pjesëmarrësve se, krerët e opozitës janë në Malishevë për t’i njoftuar qytetarët për rrezikun që i kanoset Kosovës nga këto marrëveshje.

“Ne nuk po bëjmë kërkesa partiake, por kërkesa për të ndalur Serbinë të kthehet në Kosovë. Tashmë është koha t’i thuhet ‘Jo’ kësaj, sepse më pas do të jetë vonë”, tha Limaj.

Pjesë e manifestimit për republikën në Malishevë ishin edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. “Bac Adem nuk u kry. Nuk u kry se po duan që Serbinë ta kthejnë në Kosovë”.

“Të gjithë qytetarët i thonë ‘Jo’ këtyre marrëveshjeve, por Thaçi dhe Mustafa po i thonë ‘Po’, pasi ata thonë se kështu po e kërkon Vuçiçi”, tha Ymeri para të pranishmëve.

Ndërsa sipas Haradinajt, Kosova nuk do t’i japë askujt toka dhe këto dy marrëveshje nuk do të miratohen. Protesta e opozitës kundër dy marrëveshjeve do të rikthehet sërish në Prishtinë, menjëherë pas festave të fundvitit, në vitin 2016.

Top Channel