Shefja e FMN-së thirret për gjyq në Francë, Lagarde do ta apelojë

17/12/2015 00:00

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde është urdhëruar të paraqitet në gjyq në Francë, për shkak të rolit të saj në vendimin e arbitrazhit të vitit 2008, me anë të të cilit iu dhanë 400 milionë euro biznesmenit francez, Bernard Tapie.

Lagarde, e cila në atë kohë ka qenë ministre e Financave në Francë, mohon të ketë kryer ndonjë shkelje ligji dhe përmes një deklarate të së enjtes tha se kishte kërkuar nga avokatët e saj të apelonin vendimin. Lagarde, që prej hapjes së hetimeve në vitin 2011, ka deklaruar pafajësinë e saj.

Pas disa vitesh hetime, një prokuror argumentoi gjatë shtatorit se çështja kundër saj duhej shuar. Por, Gjykata e Drejtësisë e Republikës vendosi këtë të enjte se, ajo ka një çështje për t’u përgjigjur – sipas zëdhënësit të kësaj gjykate, – e cila është edhe trupa speciale për gjykimin e ministrave të qeverisë.

Zëdhënësi nuk dha detaje mbi vendimin e dhënë sot, ndërsa shtoi se nuk mund të konfirmojë me saktësi asgjë në lidhje me akuzat që i ngarkohen asaj, e për pasojë as të flasë për kohën që rrezikon prapa hekurave, apo në rast të kundër shumën e gjobës, me të cilat mund të përballet në rast se shpallet fajtore.

Lagarde, në deklaratën e publikuar nga këshilltari francez, Marc Vanghelder, tha se “ajo ka vepruar gjithmonë në interes të shtetit në këtë marrëdhënie dhe në respektim të ligjit”. Ajo konsideron se “nuk mund të ngrihet asnjë akuzë ndaj saj”, thuhet në deklaratë.

Avokatët e Lagarde kanë 5 ditë kohë pas njoftimit zyrtar të vendimit, për të dorëzuar apelimin. Por, njoftimi formal nuk pritet të ndodhë gjatë kësaj të enjteje.

Ky hetim nisi përpara se Lagarde të emërohej shefe e FMN-së në vitin 2011. Ajo pasoi këtë post ish-kreun Dominique Strauss Kahn, i cili u largua për shkak të akuzave për ngacmime seksuale. Bordi ekzekutiv i FMN-së ka shprehur besimin e plotë ndaj Lagarde, pavarësisht marrjes në hetim, e këtë gjë e bëri edhe gjatë kësaj të enjteje.

Top Channel