SHBA-Kubë, marrëveshje për 110 fluturime ajrore në ditë

17/12/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kuba kanë arritur më në fund një marrëveshje të re, e cila lejon plot 110 fluturime ajrore në ditë, duke i hapur kështu rrugë udhëtimeve të amerikanëve drejt vendit ishullor, që pritet të “përmbytet” nga qindra e mijëra vizitorë amerikanë në vit.

Lajmi është bërë i ditur këtë të enjte, në përvjetorin e uljes së tensioneve mes dy ish-armiqve të Luftës së Ftohtë.

Marrëveshja e arritur mesnatën e së mërkurës, pas 3 ditë bisedimesh në Uashington, i hap rrugën linjave ajrore amerikane të negociojnë me qeverinë kubaneze për 20 rrugëtime në ditë drejt Havanës, si dhe 10 të tjera drejt 9 aeroporteve të tjera madhore të Kubës, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Edhe pse pritet të kalojnë muaj deri në fluturimin e parë tregtar drejt Havanës, rivendosja e linjave të rregullta të aviacionit me Kubën pas rreth një gjysmëshekulli do të jetë padyshim zhvillimi më i madh i fushës së biznesit, që kur dy vendet nisën të normalizonin marrëdhëniet mes tyre vitin e kaluar.

Fluturimet nga SHBA drejt Kubës janë rritur me më shumë se 50 për qind gjatë këtij viti, ashtu sikurse kanë pësuar rritje edhe fluturimet nga vende të tjera, duke vënë “në presion” infrastrukturën e vjetëruar turistike të vendit komunist.

Aeroporti ndërkombëtar i Havanës është në limitet e saj për të akomoduar kërkesat kaq të mëdha të fluturimeve drejt këtij qyteti, aty ku thuajse çdo hotel është i prenotuar qysh tani edhe për vitin e ardhshëm. Megjithatë, duket se është po aq e qartë se, edhe zyrtarët kubanezë do të lejojnë një rritje graduale të fluturimeve të reja nga Amerika, në mënyrë që të sigurohen se qeveria mund të përballojë këtë rritje kaq drastike të udhëtimeve.

Top Channel