OKB: Numri i refugjatëve pritet të thyejë rekordin e 2014-s

18/12/2015 00:00

Numri i njerëzve të detyruar të shpërngulen për shkak të luftrave, dhunës e persekutimit në 2015-n, duket i destinuar të thyejë rekordin e vitit që shkoi.

Raporti i agjencisë së OKB-së për refugjatët, i publikuar këtë të premte, tregon se një në 122 vetë nuk ka pasur rrugëzgjidhje tjetër, përveç se të braktisin shtëpitë e tyre.

Shpërngulja e detyruar është një fenomen akut i kohës sonë, thotë kryekomisioneri i Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Antonio Guterres. Kurrë më parë nuk ka pasur kaq nevojë sa sot, për tolerancë, dhembshuri dhe solidaritet me ata, që kanë humbur gjithçka, shton ai.

Pavarësisht perceptimit të përgjithshëm se, shumica e këtyre njerëzve i drejtohen Europës së begatë dhe Amerikës Veriore, pjesa e luanit në përballjen me fluksin e emigrantëve – thuhet në raport, – i ka takuar vendeve në zhvillim, që ndajnë kufijtë me vatrat e konfliktit.

Agjencia paralajmëron për rrezik nga ndjenjat në rritje kundër refugjatëve, fyerjet që u bëhen atyre, apo edhe politizimi i gjendjes së vështirë në të cilën po kalojnë.

Nga verifikimet e OKB-së rezulton se, gjatë 6 muajve të parë të vitit janë shpërngulur të paktën 5 milionë vetë, 4.2 milionë prej të cilëve kanë qëndruar brenda vendeve të tyre dhe 839 mijë të tjerë kanë kaluar kufijtë ndërkombëtarë, që do të thotë se 4.600 persona janë kthyer çdo ditë në emigrantë.

Deri në fund të qershorit, në mbarë botën kanë jetuar si refugjatë 20.2 milionë vetë, çfarë përbën një kapërcim të ndjeshëm të shifrave, me 45% që prej vitit 2011. Kontribuesi kryesor në këtë situate është konflikti sirian, që nuk jep shenja qetësimi.

Top Channel