Beteja për Mosulin, kurdët frenojnë sulmin e madh të xhihadistëve

18/12/2015 00:00

Forcat kurde, të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar, arritën të zbrapsin sulmin më të fortë të militantëve të Shtetit Islamik në Irak në këto 5 muajt e fundit.

Zyrtarë amerikanë njoftuan se, luftëtarët e grupit të dhunshëm xhihadist kishin ndërmarrë të mërkurën goditje të koordinuara në disa zona pranë Mosulit. Qyteti i dytë më i madh i vendit është që prej vitit të kaluar nën kontrollin e ISIS-it.

Përplasjet kanë vazhduar deri mëngjesin e së enjtes, sqaruan burimet në fjalë, që pretendojnë gjithashtu se në betejën me kurdët kanë mbetur të vrarë 180 militantë. Ofensiva e ISIS-it nisi pasditen e dy ditëve më parë, me mësymjen e pozicioneve të “peshmerga”-ve.

Ekstremistët përdorën të gjithë arsenalin e armëve që mundën: mitralozë, makina-bombë, raketa e autoblinda. “Washington Post” citoi zëdhënësin e ushtrisë amerikane, kolonelin Steve Warren, të pohonte se ky është grushti më i fortë i lëshuar nga Shteti Islamik, që prej muajve të verës, por që kurdët arritën ta frenojnë.

Gjenerali i brigadës, Mark Odom, i cili shërben në Irak tha nga ana tjetër për “New York Times” se, goditja mund të ketë qenë thjesht një përpjekje për të trazuar planet e rimarrjes së Mosulit. Ndër zonat e shënjestruara renditet edhe Bashiqa, ku forcat turke – sipas BBC-së, – kanë stërvitur së fundi grupe kurdësh të Irakut, çfarë ngjalli mosmarrëveshje me Bagdadin zyrtar.

Të tilla zhvillime vijnë në kohën, kur Këshilli 15 anëtarësh i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë, që synon shterrimin e financimit të ISIS-it. Dokumenti i nxit shtetet të veprojnë në mënyrë energjike e të vendosur, për ndërprerjen e rrjedhjes së fondeve, që mbajnë në këmbë Shtetin Islamik, siç do të ishte bllokimi i trafikut të tij të naftës apo antikuareve.

Top Channel