Laçi i rikthehet fitoreve, mposht minimalisht Teutën

18/12/2015 00:00

Teuta, e cila renditet në vendin e katërt në Superiore, nuk ka mundur të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen hapëse të javës së 17 në Superiore.

Takimi u zhvillua në fushën e Laçit edhe pse kjo ndeshje duhej të zhvillohej në “Niko Duvana” të Durrësit sipas kalendarit. Dy ekipet ranë në kompromis në fazën e parë për shkak se në atë kohë stadiumi i Laçit ishin në rikonstruktim.

Laçi e nisi vrullshëm takimin, duke arritur të kalojë në avantazh që në minutën e 7 të takimit me anë të James Adeniyi, i cili ktheu në gol një 11-metërsh. Edhe pas golit të shënuar, ekipi i Cungut kërkoi të shënonte edhe golin e sigurisë, ndërsa durrsakët bënin përpjekjet të dështuara për ta barazuar rezultatin.

Megjithatë goli i shënuar nga James ishte i vetmi në këtë sfidë, duke e rikthyer Laçin tek fitoret pas disa rezultateve radhazi jo të mirë.

Pas kësaj ndeshje, Teuta qëndron në vendin e katërt në renditje me 27 pikë, ndërsa Laçi është ngjitur në kuotën e 22 pikëve në vendin e 6.

Ndeshjet e tjera të javës së 17 në Superiore do të zhvillohen ditën e nesërme në orën 13:00, me përjashtim të supersfidës Skënderbeu-Partizani që do të luhet në orën 17:00.

Top Channel