Heqja e vizave, Avramopoulos: Kosova duhet ende të përmbushë 8 kritere

18/12/2015 17:25

Kosova duhet të përmbushë edhe 8 kritere nga 95 të tilla, të caktuara gjithësej 3 vite më parë në udhërrëfyesin e vizave, në mënyrë që Komisioni Europian t’i propozojë Këshillit të BE-së lëvizjen pa viza për qytetarët e vetëm të izoluar të rajonit.

Kjo u bë e ditur nga komisioneri Dimitris Avramopoulos gjatë paraqitjes së raportit të fundit për Kosovën,  një vend të cilin ai tha se do ta vizitojë enkas në fillim të vitit të ardhshëm.

“Mbeten edhe 8 kritere të hapura. Sapo Kosova të përmbushë këto kushte dhe të vendosë masa efikase për të parandaluar valë të reja emigrimi në Bashkimin Europian, Komisioni do të propozojë heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Shpresoj të jetë e mundur në fillim të 2016-s. Unë do ta vizitoj personalisht Kosovën në fillim të vitit për të shqyrtuar ecurinë e përmbushjes së 8 kritereve të mbetura. Raporti ynë cakton 4 prioritete kyçe për Kosovën, ku duhet të fokusohet gjatë periudhës së mbetur të dialogut për liberalizimin e vizave. Të transferojë një numër të mjaftueshëm gjykatësish në departamentet e gjykatave për krimet serioze; të ndërtojë një historik dëshmish për hetimet, vendimet gjyqësore dhe konfiskimet për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar; të  sigurojë pavarësinë vepruese e Organit të Rishikimit të Prokurimit Publik dhe të Komisionit Rregullator të tij; si dhe të dëshmojë zbatim të ligjit për ndryshimin e emrave”, deklaroi Avramopoulos.

“Miqtë tanë në Kosovë e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë”, u shpreh më tej ai kur u pyet mbi qëndrimet publike të përfaqësuesëve të qeverisë kosovare.

Përpara se të hiqet detyrimi i vizave, Kosova duhet ndërkohë të ratifikojë marrëveshjen kufitare me Malin e Zi, të kryejë pagesat e Fondit për Riintegrim, të trajtojë arsyet e nivelit të ulët të pranimit për azilkërkuesit dhe të ofrojë ambjentet e duhura për Avokatin e Popullit.

Krahas Kosovës, Komisioni Europian paraqiti dhe raportet përfundimtare për Gjerorgjinë dhe Ukrainën. Të dyja vendet rezultojnë se kanë përmbushur, pas 7 vjetësh, të gjitha kriteret e 4 blloqeve të udhërrëfyesit për vizat, ndaj Komisioni vendosi për t’i rekomandojë Këshillit të BE-së liberalizimin e vizave në fillim të 2016-s.

Top Channel