Vizat, Zhbogar: Kriteret, çështje javësh; Qeveria: Nuk u përfshinë në raport

18/12/2015 00:00

Kosova duhet të plotësojë të paktën 4 kushte me prioritet, nga 8 sa janë gjithsej, në mënyrë që të fitojë rekomandimin pozitiv nga Komisioni Europian për lëvizjen pa viza në vendet e zonës “Schengen”.

Ato kanë të bëjnë sërish me luftën ndaj korrupsionit veçanërisht në nivelin e lartë, konfiskimin e pasurive të paligjshme, transferimin e gjyqtarëve në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe pavarësimin e organit të prokurimit.

“Prokurimi publik mbetet një burim i madh i korrupsionit në Kosovë”, thuhet në raportin e prezantuar këtë të premte në Bruksel, të cilin e komentoi edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Sipas tij, Prishtina mund t’i plotësojë këto kritere brenda pak javëve.

“Vlerësimi ynë është se, të gjitha rekomandimet mund të adresohen në një periudhë relativisht të shkurtër dhe kjo është çështje javësh, ato mund të kryhen në fillim të vitit 2016. Nuk do të ketë më raporte dhe nuk do të ketë më kushte kryesore për t’u plotësuar, kjo është e tëra. Komisioneri Avramopoulus tha se do të vijë në Kosovë në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të vlerësojë progresin e bërë. Unë shpresoj që deri në atë kohë, ai do të jetë i gatshëm ta bëjë rekomandimin, e pas kësaj u takon vendeve anëtare dhe Parlamentit Europian, që të vendosin përfundimisht”, tha Samuel Zhbogar, shef i zyrës së BE-së në Kosovë.

Qeveria e Kosovës shpreson, që Komisioni Europian të rekomandojë liberalizimin e vizave për Kosovën në fillim të vitit të ardhshëm, si dhe zotohet në ndërmarrjen e të gjitha hapave, që komisioni ta bëjë këtë rekomandim. Në një komunikatë për mediet, ekzekutivi kosovar thekson se kushtet e parashikuara me udhërrëfyes janë plotësuar dhe Komisioni Europian është informuar për të gjitha veprimet e ndërmarra.

Por, disa nga kushtet e plotësuara, sipas qeverisë nuk janë përfshirë në raport. “Qeveria, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, Këshillin Gjyqësor, ministritë përkatëse dhe Komisionin Rregullativ të prokurimit publik i ka përmbushur të gjitha kriteret, përkatësisht rekomandimet e mbetura, por këto nuk janë përfshirë në këtë raport”, thuhet në komunikatë.

Më saktësisht, për këto kritere foli ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku. Në Facebook, ai bëri të ditur se institucionet kanë plotësuar rekomandimet kyçe të Komisionit Europian, ku përfshihen rritja e numrit të gjyqtarëve në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës; emërimi dhe mandatimi i prokurorit special si koordinator për hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit; propozimi i anëtarëve të bordit të organit të prokurimit publik.

Çollaku njofton gjithashtu se, qeveria ka siguruar miratimin e ligjit të ri të prokurimit publik, si dhe ka bërë përgatitjet e nevojshme për zbatimin e “e-prokurimit” (prokurimit elektronik) nga janari i 2016-s, ndërsa kriteri i katërt është hyrja në fuqi e bazës ligjore në lidhje me përforcimin e kritereve të procedurës së ndryshimit të emrit personal.

Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi e vlerësoi si pozitiv raportin mbi liberalizimin e vizave. Në Facebook, ai shkroi se ky vlerësim i Komisionit Europian ndodhi pas implementimit pothuajse në tërësi të kritereve demokratike. Kosova – siç thotë Thaçi, – është zotuar t’i kryejë të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i zbatimit të liberalizimit të vizave.

Top Channel