Ndotje alarmante në Kinë, mbyllen shkollat, reduktohet qarkullimi

18/12/2015 00:00

Kina lëshoi alarmin e dytë të kuq brenda 10 ditësh, për shkak të smogut që pritet të mbulojë pjesë të mëdha të vendit.

Shkollat do të mbyllen, qarkullimi i automjeteve në rrugë do të kufizohet dhe banorët këshillohen të mos dalin nga shtëpitë. Për Pekinin me 22,5 milionë banorë, alarmi do të jetë në fuqi nga e shtuna deri të martën.

Meteorologët thonë se ndotja e ajrit është tashmë në nivele edhe më të larta se ç’ishte në kohën kur u dha paralajmërimi i parë. Më 8 dhjetor, matësit tregonin se niveli i grimcave të imta toksike “PM 2.5” ishte 300 mikrogramë për metër kub.

Sot, ai rrezikon të kapërcejë 500 mikrogramët, një shifër frikësuese kjo në krahasim me 25 mikrogramët për metër kub, të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si nivel maksimal sigurie.

Autoritetet kineze publikuan një hartë, ku tregohet sesi një fashë smogu e dendur do të mbulojë 2,000 km territor, duke përfshirë të paktën 12 qytete të mëdha. Më të prekurit janë Pekini dhe qyteti më i afërt i tij, Shijiazhuang.

Për qeverinë kineze, ndotja e mjedisit nuk është vetëm një shqetësim, që ka të bëjë me shëndetin, por edhe çështje ekonomike. Pas alarmit të parë, Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit pati deklaruar se smogu ishte pasojë e motit jo të favorshëm.

Çlirimi i gazeve në Kinën veriore shtohet shumë në dimër, me hapjen e sistemit të ngrohjes dhe kur era nuk ka forcën për t’i shpërndarë. Megjithatë shifrat janë aq të larta, sa e kanë kthyer këtë situatë në një sfidë tepër të vështirë për ekzekutivin kinez, aftësia e të cilit për të marrë masa është vënë në pikëpyetje.

Pekini zyrtar ka marrë zotimin ta pakësojë konsumin e qymyrgurit dhe të mbyllë objektet industriale ndotëse. Megjithatë, autoritetet mjedisore e pranojnë se standardet e cilësisë së ajrit zor se do të plotësohen, të paktën deri në vitin 2030.

Top Channel