Nju Jork, Shkreli dorëhiqet nga një prej kompanive të tij

18/12/2015 20:25

Martin Shkreli, farmacisti shqiptar në Nju Jork i arrestuar të enjten për akuza që lidhen me krime financiare, ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtuesit të një prej kompanive të cilën kontrollon, “Turing Pharmaceuticals”.

Ai do të zëvendësohet përkohësisht nga Ron Tilles, që ka qenë kryetar i bordit të drejtorëve të “Turing”, që kur kompania u themelua nga fundi i vitit të kaluar.

Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë këtë të premte, kompania në fjalë thotë se, “Tilles do të vazhdojë të mbajë njëkohësisht edhe postin e tij të deritanishëm”.

32-vjeçari Shkreli, sipas titujve të disa gazetave, ishte kthyer në “njeriun më të urryer në Amerikë” për shkak se kishte rritur 55-fish çmimin e një ilaçi të rëndësishëm për jetën e njeriut, pasi kishte blerë të drejtat për shitjen e tij. Gjithësesi, arrestimi i tij ditën e enjte nuk kishte të bënte me shitjen e ilaçit.

Prokurorët federalë deklaruan se gjatë periudhës 2009-2014 Shkreli kishte humbur para nga fondet bazë të investitorëve që menaxhonte në bursë dhe i kishte shlyer ata duke shitur për 11 milionë dollarë kompaninë tjetër farmaceutike ku ishte drejtues ekzekutiv, “Retrophin”.

Ky veprim përbën sipas hetuesve shkelje të ligjeve financiare. Shkreli, një auto-promovues flagrant që së fundmi kishte thënë se duhet ta kishte rritur çmimin e ilaçit Daraprim edhe më shumë, u pa teksa shoqërohej i prangosur nga agjentët e FBI-së në rrugët e Nju Jorkut.

Sipas mediave amerikane, ai është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave që i atribuohen, për të cilat nëse dënohet rrezikon deri në 20 vjet heqje lirie. Për momentin, ai është lënë i lirë nga gjykata në këmbim të një garancie financiare prej 5 milionë dollarësh.

Sidoqoftë, lajmi për arrestimin e tij kënaqi pa masë pacientët dhe grupet e të drejtave të njeriut, që e konsideronin rritjen e çmimit të Daraprim si diçka të përçmuar.

“Turing” ka zyra në Nju Jork dhe në Zug të Zvicrës. Ndërkohë, së fundmi Shkreli u bë drejtues ekzekutiv i një tjetër kompanie, “KaloBios Pharmaceuticals”, baza e të cilës ndodhet në jug të San Fransiskos, në Kaliforni. Për momentin nuk dihet nëse ai do të vazhdojë të mbajë edhe këtë post.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel