Ndalohet Refaeli, së bashku me të ëmën

18/12/2015 00:00

Bar Refaeli është ndaluar dhe shoqëruar nga policia izraelite gjatë mbrëmjes së të enjtes, pasi dyshohet për evazion fiskal. Lajmi është bërë i ditur nga BBC e më pas ka marrë “dhenë” duke u publikuar në të gjitha mediet botërore.

Supermodelja izraelite akuzohet se nuk ka raportuar miliona paund të ardhura nga jashtë shtetit, ashtu sikurse edhe mijëra paund “përfitime artistike” të padeklaruara, përfshi këtu përdorimin pa kosto të makinave Range Rover dhe Lexus, të cilat i janë dhënë asaj në këmbim të promocioneve publike.

Policia pretendon gjithashtu se ajo është përpjekur të fshehë faktin që ka qenë rezidente izraelite, duke jetuar nëpër shtëpi që figurojnë të regjistruara në emër të nënës dhe vëllait të saj, pasi izraelitët që nuk janë rezidentë përjashtohen nga deklarimi i të ardhurave të fituara jashtë.

Refaeli, e cila është ndaluar së bashku me nënën e saj Tzipi, mohon të ketë bërë ndonjë padrejtësi, e megjithatë është lënë e lirë pas një dorëzanie prej 129 mijë paund, nga zyra e Autoritetit izraelit të Taksave me seli në Tel Aviv. Nëse ajo do të kërkojë të largohet nga vendi, do t’i duhet të kërkojë leje nga autoritetet dhe të paguajë edhe një shumë prej 42 mijë paund.

“Nuk ka asnjë dramë. Në fund të fundit, kjo është thjesht një çështje civile. Askush nuk mund të dyshojë për më shumë se kaq. Gjithçka do të sqarohet së shpejti”, tha përfaqësuesja ligjore e modeles, Giora Aderet.

Çështja është ngritur vetëm 3 muaj pasi Refaeli është martuar me ish-të fejuarin e saj, Adi Ezra, në resortin turistik “Carmel Forest Spa”, në Haifa të Izraelit.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel