SHBA, Obama në konferencën e fundvitit: Do ta mposhtim ISIS-in

18/12/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, gjatë konferencës së fundvitit për shtyp të dhënë nga Shtëpia e Bardhë për reporterët e pranishëm ka folur pak nga të gjitha. E ka nisur fjalimin e tij me reformën e kujdesit shëndetësor, duke thënë se 6 milionë njerëz janë regjistruar gjatë vitit 2015 për të përfituar nga ligji i kujdesit shëndetësor të promovuar prej tij.

Zyrtarë amërikanë thonë se kjo shifër tregon sërish se programi është ende me influencë të madhe dhe po u ofron përfituesve të tij një shërbim të vlefshëm. E enjtja ishte edhe afati i fundit për t’u regjistruar, për mbulimin që do të nisë nga data 1 janar e vitit 2016. Deri më sot, 6 milionë amerikanë e nënshkruar vijnë nga 38 shtete, si dhe kanë përdorur faqen e internetit “HealthCare.gov”. 2,4 milionë prej tyre janë përfitues të rinj, gjë që i bën zyrtarë të thonë se kjo shifër është shumë më e lartë sesa të regjistruarit e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. E pavarësisht shifrave të konsiderueshme administrata “Obama” nuk kanë vendosur ende të rishikojnë numrin e përgjithshëm të përfituesve, që është fiksuar në 10 milionë deri në fund të vitit 2016.

Ndërkohë, Presidenti Obama vlerësoi gjithashtu Kongresin për kalimin e projektligjit prej 1,1 trilionë (bilionë/EU) për financimin e qeverisë, duke shmangur kështu mundësinë e një “bllokade” për 9 muajt e parë të vitit të ardhshëm. Në konferencë, Obama tha se Kongresi po e mbyll viti me një vlerësim të lartë dhe theksoi mes të tjerash edhe kalimin e projektligjeve për transportin dhe edukimin. Obama, i cili pritet ta firmosë projektligjin për financimin e qeverisë, ka shtuar se “nuk do të tregohet i çmendur” me shpenzimet, duke thënë se ky është një buxhet që investon më së shumti në ushtrinë amerikane dhe klasën e mesme. Gjithsesi, Obama deklaroi se Kongresi duhet të promovojë ende rritjen e punësimit dhe rritjen e pagave mesatare, teksa u tregua i gatshëm të punonte me ligjvënësit gjatë vitit tjetër për të reformuar sistemin e drejtësisë penale.

Ndër premtimet e tij, edhe pse jo për herë të parë, ishte edhe mbyllja e burgut amerikan famëkeq të Guantanamos, në Kubë, duke e cilësuar këtë si pjesë e strategjisë së tij antiterrorizëm. Presidenti Obama tha se autoritetet ligjzbatuese dhe zyrtarët e shërbimeve sekrete po kërkojnë për mënyra më të mira për të monitoruar komunikimin publik dhe për të ndjekur terroristët. Por, ai paralajmëron se edhe ajo çfarë mund të bëjnë autoritetet ligjzbatuese e ka një kufi. Obama u shpreh se asnjë qeveri nuk duhet ta ketë mundësinë për “të lexuar SMS-të apo e-mail-et e çdo personi, apo qoftë edhe rrjetet sociale, nëse të tilla veprime nuk bëhen publikisht”. Qeveria – sipas tij, – duhet të përpiqet të arrijë balancën e duhur mes mbikëqyrjes dhe lirive qytetare, gjatë përpjekjeve për të ndalur terroristët të planifikojnë ndërmarrjen e sulmeve. Dhe sipas Obamës, “qeveria e tij e ka arritur këtë balancë” deri më tani. Presidenti amerikan shtoi se qendra e mbajtjes së të dënuarve ishte “magneti më i mirë për xhihadistët”. Për këtë, ai tha se bazuar mbi të dhënat e trafikut të internetit, grupet ekstremiste e kanë përdorur Guantanamon për të portretizuar Shtetet e Bashkuara si të përfshira në luftë kundër Islamik, përveç se është tepër e kushtueshme. Megjithatë, Obama nuk deklaroi nëse do të përdorte veprimet ekzekutive, pra pa pyetur Kongresin, për të konkretizuar angazhimin e tij për mbylljen e burgut më famëkeq ku janë mbajtur të dyshuar të shumtë për terrorizëm. Ai tha se në Guantanamo do të jenë më pak se 100 të dënuar në fillim të vitit të ri.

Sa i përket çështjes së Sirisë, Obama tha se Presidenti sirian, Bashar al-Assad do të duhet të largohet, nëse synohet vërtet që t’i jepet fund luftës civile në Siri, pasi vendi duhet të ketë një të ardhme antisektare. Obama shtoi se edhe mbështetësit e Assadit, si Rusia dhe Irani, kanë kapitalet e tyre në Siri që duhen mbrojtur, nëse do të duhet të mbështesin tranzicionin politik. Në fjalimin e fundit të vitit, ai tha se kriza në Siri do të ishte sheshuar me kohë, nëse Assad do të pranonte se e kishte humbur legjitimitetin e tij si udhëheqës i vendit dhe do të ishte larguar disa vite më parë. Ai e konsideron vendimin e Assadit për të vendosur vetveten përpara interesave të vendit të tij, si shkakun parësor të rritjes së grupit xhihadist të Shtetit Islamik.

Në fund të konferencës, Obama lavdëroi edhe kreun e ri të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, por edhe krerët e tjerë të Kongresit amerikan (Capitol Hill) për negociatat tepër të rregullta të projektligjit të sapomiratuar të buxhetit dhe taksave. Obama nuk la pa lavdëruar edhe paraardhësin e Ryanit, republikanin e Ohios John Boehner, për negociatat për paktin që çoi deri në marrëveshjen e dhjetorit mbi buxhetin, duke thënë se largimi i Boehner ndihmoi në arritjen e një pakti më të hershëm.

Top Channel