Lufta kundër terrorizmit, Irani fton SHBA-të e Britaninë

19/12/2015 00:00

Në kohën kur çështja e terrorizmit po dominon shumicën e axhendave të politikave ndërkombëtare, Irani ka ftuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë që të bashkojnë duart me Teheranin për të mposhtur Shtetin Islamik.

Ministri i Jashtëm i vendit, Muhamed Javad Zarif bëri apel për mbështetje ndërkombëtarë për të fituar atë që e cilësoi  si një betejë ekzistenciale. Në një opinion për britaniken “The Guardian”, Zarif shkruan:

“Të gjithë duhet të bashkojnë duart që t’i japim fund të menjëhershëm gjakderdhjes dhe të përqendrohemi për nxitjen e një procesi politik në Siri ku të përfshihen të gjitha palët”.

Zarif shton se Grupi Ndërkombëtar i Mbështetjes për Sirinë që ka si anëtarë  vendet rajonale  dhe ato perëndimore për mbikëqyrjen e procesit të paqes, luan një rol vendimtar në luftën kundër terrorizmit.

Ftesa qe Zarif i bëri Perëndimit për t’u bashkuar në këtë kauzë, vjen në një moment kyç. OKB-ja dhe vendet anëtare të Grupit Ndërkombëtar të Mbështetjes për Sirinë, do të takohen më 1 janar që të tentojnë rifillimin e bisedimeve ndërmjet regjimit të Presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad dhe grupeve opozitare.

Ndërkohë, Irani njihet si aleati kryesor i Presidentit sirian, ku së bashku me Rusinë, janë përkrahësit më të mëdhenj të Asad. Nga ana tjetër, SHBA-të, Britania e Madhe, Arabia Saudite dhe aleatë të tjerë, së bashku me partitë kryesore opozitare siriane këmbëngulin që Asad duhet të japë dorëheqjen.

Megjithatë në fjalën e tij, Zarif nuk e përmend Assadin, i cili akuzohet për vrasjen e mijëra njerëzve gjatë pesë viteve të luftës civile të përgjakshme.

Top Channel