Lufta kundër ISIS, koalicioni vret ushtarë irakianë

19/12/2015 00:00

Ushtarë irakianë mund të jenë vrarë gjatë një sulmi ajror të koalicionit të drejtuar nga SHBA, kundër të ashtuquajturit grupi i Shtetit Islamik.

Këtë e bëri të ditur ushtria amerikane përmes një deklarate.
 
“Të dhënat paraprake sugjerojnë se një prej sulmeve tona ka rezultuar me vdekjen e ushtarëve irakiane”-thuhet në deklaratë. 

Sipas komandës irakiane për operacionet e përbashkëta, një oficer dhe 9 ushtarë kishin vdekur ose ishin plagosur në incidentin e ndodhur pranë Fallujah-s.

Forcat irakiane janë angazhuar në luftime kundër militantëve në rajonin e Anbar-it. Njësitë ushtarake kanë avancuar drejt pozicioneve të ISIS-it në Fallujah por për shkak të motit të keq, nuk u mbështetën  nga forcat ajrore irakiane.

Komanda irakiane, tha se forcat ajrore të koalicionit ndërmorën 2 sulme me kërkesë të autoriteteve të Irakut, duke u mundësuar ushtarëve të avanconin me shpejtësi duke zënë në befasi xhihadistë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se koalicioni kishte zhvilluar edhe një sulm të tretë pa marrë në konsideratë distancën e mbuluar, duke shkaktuar viktima edhe mes forcave irakiane. Sipas ushtrisë amerikane ky është incidenti i parë i raportuar i të ashtuquajturit zjarr miqësor, gjatë operacionit për largimin e militantëve nga rajoni i Anbar. 

Top Channel