Në vend të rritjes, numri i të punësuarve shqiptarë në Entin Shtetëror për Statistika në Maqedoni gjatë këtij viti ka shënuar rënie. Në këtë institucion, me gjithësej 302 të punësuar, këtë vit numri i shqiptarëve është ulur nga 17 në 15%.

Për shkak të pozitës së pabarabartë me maqedonasit dhe diskriminimit që ndjejnë nga udhëheqësit e tyre, 3 nga 50 shqiptarët e punësuar në Entin për Statistika kanë dhënë dorëheqje nga vendet e punës. Nga ana tjetër, vetëm gjatë këtij viti në këtë institucion janë pranuar 50 maqedonas.

“Deri vitin e kaluar kemi qenë rreth 17% dhe nëse qëllimi i partive politike është që t’i mbushin institucionet vetëm në aspektin horizontal, atëherë iu them se do të dështojnë. Këtë vit jemi nën 15%. Ishim mbi 50 të punësuar, ndërsa tani jemi vetëm 47”, ka deklaruar Bekim Berisha, i punësuar në ESSH.

Sipas Marrëveshjes së Ohrit, 25% e të punësuarve në administratën shtetërore dhe sektorin publik në Maqedoni duhet të jenë shqiptarë.

Por kjo kuotë, e garantuar me Kushtetutë, nuk respektohet nga shumë institucione, përfshirë edhe Entin për Statistika. Në këtë institucion shqiptarët janë të angazhuar në postet më të ulëta dhe asnjë prej tyre nuk është udhëheqës sektori.

“Duhet të bojkotojmë punën sepse nuk ka tjetër mënyrë. Nëse ne vetëm flasim, partitë heshtin dhe vazhdon ky avaz, asgjë nuk arrihet. Ne duhet të radikalizojmë protestën tonë, të bojkotojmë punën dhe të tërheqim edhe vëmendjen e faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Berisha.

Edhe përkundër insistimit të gazetarëve, drejtoresha e Entit të Statistikave, Lidija Kostovska nuk është prononcuar lidhur me akuzat e të punësuarve shqiptarë për diskriminimin e tyre.

Top Channel