Edhe Clinton kundër Trump: Idetë e tij nxisin xhihadistët

20/12/2015 00:00

Bernie Sanders i kërkoi ndjesë rivales për nominim brenda kampit demokrat, Hillary Clinton, pasi stafi i tij vodhi të dhëna të vlefshme votimi nga fushata e saj.

Nuk është ky, lloji i fushatës që bëjmë këtu, tha Sanders gjatë debatit të tretë televiziv të garës për Presidencialet e 2016-s. Edhe pse nuk munguan goditjet ndaj njëri-tjetrit mbi taksat, kujdesin shëndetësor dhe armët, debati demokrat pati një të përbashkët të madhe me atë republikan: breshërinë e kritikave për Donald Trumpin dhe komentet e tij kundër myslimanëve.

Clinton arriti deri aty, sa ta cilësonte manjatin e pasurive të patundshme si “rekrutuesin më të mirë të ISIS-it”.

“Shumë njerëz veprojnë të shtyrë nga ankthi e frika, çfarë është e kuptueshme. Zoti Trump ka një aftësi të jashtëzakonshme të përdorë tonet agresive dhe fanatizmin për të ndezur njerëzit e për t’i bërë të mendojnë se, ndaj pyetjeve tepër komplekse ka përgjigje fare të thjeshta”, tha Clinton.

Kur u prek çështja e Sirisë, ish-Sekretarja e Shtetit, kryesuese e garës në kampin demokrat, këmbënguli që Amerika të kërkojë largimin e Bashar al-Assadit nga pushteti. Nëse nuk udhëheqin Shtetet e Bashkuara, – tha ajo, – atëherë s’ka udhëheqës tjetër, ka vetëm boshllëk.

Sanders kundërshtoi me argumentin se, Uashingtoni duhet të përqëndrohet më së pari te mposhtja e Shtetit Islamik.

“T’i heqësh qafe diktatorët është e thjeshtë. Puna është të mendosh mirë se çfarë do të ndodhë ditën tjetër”, tha Sanders.

Debati, ku mori pjesë dhe ish-guvernatori i Marylandit, Martin O’Malley, ishte i pari që prej vrasjes së 14 personave nga një çift bashkëshortësh, për të cilët autporitetet thanë se ishin radikalizuar. Të 3 kandidatët i mëshuan rëndësisë së madhe, që ka bashkëpunimi më i ngushtë me komunitetet myslimano-amerikane për frenimin e këtij fenomeni brenda kufijve.

Top Channel