Terrorizmi post-ISIS, studimi: Nuk merr fund me mposhtjen e xhihadistëve

20/12/2015 00:00

Konkluzioni i raportit të titulluar “Nëse bie kështjella: Ideologjia dhe objektivat e rebelimit sirian”, hartuar nga Fondacioni i ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, bën një vlerësim pesimist për mposhtjen e terrorizmit xhihadist në botë.

Mposhtja e Shtetit Islamik nuk do të shënojë fundin e këtij terrorizmi, pasi mendohet se janë rreth 15 grupime militantësh xhihadistë, që janë të gatshëm të zëvendësojnë ISIS-in.

Afërsisht 100 mijë luftëtarë nëpër fraksionet rebele në Siri ndjekin të njëjtën ideologji fetare dhe politike, sipas raportit të Fondacionit të Tony Blairit. Rreth 60 për qind e grupeve kryesore rebele siriane janë ekstremistë islamikë.

Autorët e raportit theksojnë se, aktualisht në Siri gjenden grumbullimet më të mëdha të grupeve xhihadiste në kohët moderne. Publikimi i raportit bëhet pas miratimit në mënyrë unanime të rezolutës së OKB-së për paqen në Siri.

Muajin e kaluar, kryeministri britanik David Cameron deklaroi në Parlament se, kishte rreth 70 mijë luftëtarë të opozitës në grupimet që nuk janë të lidhura me grupimet ekstremiste. Ndërkohë CIA vlerëson se ka afro 31 mijë luftëtarë xhihadistë në Siri.

Raporti konkludon se, nëse Presidenti sirian Bashar al-Assad nuk largohet, lufta në Siri ka gjasa të përhapet më tej.

Top Channel