Zgjedhje në Spanjë; Thyhet sundimi i partive kryesore, “Podemos” trondin politikën

20/12/2015 00:00

Spanjollët u drejtohen sot qendrave të votimit, në të parat zgjedhje prej dekadash të tëra, ku për pushtetin konkurrojnë më shumë se dy parti.

“Podemos”, një forcë e re në skenën politike të vendit, e shfaqur si kundërshtare e fortë e masave antikrizë, dhe partia liberale “Qytetarët” sfidojnë Partinë Popullore të kryeministrit Mariano Rajoy, dhe socialistët.

Sondazhet u japin një epërsi të lehtë konservatorëve të Rajoyt. Gjatë kohës që frerët e ekzekutivit kanë qenë në duart e tij, Spanja arriti të dalë nga kriza financiare e të hyjë në një periudhë rritjeje të ekonomisë.

Dy partitë e reja, megjithatë, shpresojnë se në zgjedhjet e përgjithshme do të kenë rezultate të kënaqshme, e së bashku do të mund të shkëpusin një pjesë të mirë të votave, duke i dhënë fund kështu monopolit të pushtetit të dy fuqive tradicionale.

Për korrespondentët e huaj është pothuajse e sigurtë se, shumicë të qartë parlamentare nuk do të sigurojë dot asnjë parti, çfarë nënkupton se krijimi i një koalicioni qeverisës, me shumë gjasë do të jetë i pashmangshëm.

Qendrat e votimit u hapën në 9 me orën lokale, e do të mbyllen në 19 të mbrëmjes. “Exit Poll”-et e para priten pak pas kësaj ore, ndërsa rezultatet e plota do të kërkojnë të paktën dy ditë kohë.

Ekonomia, akuzat për korrupsion dhe përpjekjet separatiste të Katalunjës së begatë kanë qenë çështjet dominuese të kësaj fushate. Kreu i partisë antikapitaliste “Podemos”, 37-vjeçari Pablo Iglesias, lektor universiteti, e ka bërë të qartë në më shumë se një rast se çfarë mendon për krizën financiare.

Problemi nuk është Greqia, – këmbëngul ai. – Problemi është Europa. Gjermania dhe FMN-ja po shkatërrojnë projektin politik të Europës. Akademiku Pedro Sanchez, udhëheqës i Partisë Socialiste, sulmet e tij ia ka drejtuar kryeministrit: zoti Rajoy, – ishin fjalët e 43-vjeçarit, – kreu i një qeverie duhet të jetë njeri me vlera të larta morale, e ju nuk jeni i tillë.

Kreu i partisë “Qytetarët” (Ciudadanos) , Albert Rivera është vetëm 36 vjeç. Juristi, dikur notar kompeticionesh të mëdha, thotë: ata të ‘Podemos’-it, për çdo gjë fajësojnë sistemin. Ndërsa ne fajësojmë njerëzit, që korruptuan këtë sistem.

Më i moshuari në konkurrim, 60-vjeçari Rajoy kujton arritjet ekonomike. Askush nuk flet sot për dorëzani për Spanjën, – thotë ai, – korrigjomëni nëse e kam gabim. Masave të rrepta antikrizë të implementuara nga administrata e Rajoyt dhe reformave në tregun e punës iu atribuohet rikthimi i ekonomisë spanjolle në rrugën e rritjes.

Megjithatë, papunësia vazhdon të mbetet një problem për vendin, ndonëse sot llogaritet në 21 për qind, çfarë nënkupton rënie krahasuar me pikun e 2013-s kur ishte 27%, sërish është e dyta më e lartë në të gjithë BE-në, pas Greqisë.

Top Channel