“Shigjeton” vetëm Erdoganin, Putin: Turqit i kemi miq; Ankaraja hesht

20/12/2015 00:00

“Rusia nuk ka për qëllim të dëmtojë marrëdhëniet me popullin turk”, deklaroi Presidenti rus, Vladimir Putin, në vazhdën e përplasjeve me Ankaranë, pasojë e rrëzimit të avionit rus në kufirin turko-sirian.

“Dua ta përsëris edhe një herë se, turqit vet i konsiderojmë një komb miqësor, e nuk duam t’i ndërpresim marrëdhëniet me ta”, ishin fjalët e shefit të Kremlinit, të cituar nga disa agjenci ruse të lajmeve.

Problemi, – siç e parashtron Putin, – është udhëheqësia aktuale, të cilin nuk ngurroi sërish ta fshikullonte, duke kujtuar se “asgjë nuk është e përjetshme”, e për rrjedhojë, qeverisja aktuale e Turqisë s’ka sesi të jetë e tillë.

Ankaraja deri më tani është frenuar nga komentet, duke u mjaftuar vetëm me pohimet e kreut të ekzekutivit, Ahmet Davutoglu, që tha dy ditë më parë se qeveria turke nuk i merr seriozisht deklaratat e egra të Putinit dhe se ka zgjedhur të mos i përgjigjet me të njëjtën monedhë komenteve të tij fyese dhe jodiplomatike.

Mbase thjesht është nostalgjik për ditët e KGB-së, por KGB-ja ka shkuar me kohë; epoka e propagandës së stilit sovjetik ka marrë fund dhe për çdo deklaratë që bën, bota e qesëndis me sarkazëm të thellë.

“Ne s’kemi sesi ta marrim seriozisht”, – u tha Davutoglu reporterëve pas kthimit nga Brukseli, ku kishte marrë pjesë në një samit me 8 krerë të bllokut europian. Një ditë më parë, ndërkohë, kryeministri turk e përshëndeti miratimin e planit të ri të OKB-së për paqen në Siri, si hap pozitiv drejt zgjidhjes së luftës së gjatë dhe të kushtueshme civile, përmes diplomacisë.

Megjithatë, ai theksoi se rezoluta e miratuar njëzëri nga Këshilli i Sigurimit nuk ofron mbrojtje për popullin sirian, i cili, në këto vite konflikti ka vuajtur së tepërmi nga mizoritë e Presidentit Bashar al-Assad.

Top Channel