“Kush e solli Doruntinën” në Durrës

20/12/2015 00:00

Premiera e dramës “Kush e solli Doruntinën” u shfaq me sukses mbrëmjen e kaluar në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

E sjellë nën një koncept të ri regjisorial, legjenda që ende na trazon me sfidën heretike të ngritjes së të vdekurit nga varri, erdhi nën interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve Margarita Xhepa, Bujar Lako, Viktor Zhusti, Laert Vasili, Mimoza Marjanaku dhe aktorëve të tjerë të trupës së teatrit profesionist të Durrësit.

Në rolin e Zonjës Mëmë, regjisori Laert Vasili ka kthyer aktoren e madhe të skenës Margarita Xhepa, e cila e ka interpretuar më parë këtë personazh që dallohet për nga dramaciteti i fortë nën regjinë e Pirro Manit.
 
Drama e Kadaresë vjen në skenën e Durrësit me të gjithë hamendësimet e mundshme mbi sjellësin e Doruntinës. Por, të gjitha ato, ashtu si dhe përpjekjet për ta ballkanizuar legjendën e Kostandinit dhe Doruntinës, vijnë e thyhen te besa e dhënë, një fjalë-cilësi që nuk gjendet te fqinjët dhe fton për rikthimin në besë.

Top Channel