Referendum në Slloveni, jo martesa mes të njëjtit seks

21/12/2015 00:00

Sllovenët kanë hedhur poshtë martesat mes të njëjtit seks, me një shumicë të konsiderueshme votash, në një referendum të mbajtur të dielën.

Pothuajse dy të tretat e zgjedhësve i thanë ‘Jo’ një projektligji që e përcaktonte martesën si një bashkim konsensual mes dy të rriturve.

Parlamenti miratoi një ligj për barazinë në martesë, në mars, por kundërshtarët e sfiduan atë para se ndonjë çift gay të mund të martohej. Konservatorët, kundërshtonin mbi të gjitha lejimin e çifteve të të njëjtit seks për të adoptuar fëmijë. Rezultati tregon ndërkohë një ndarje kulturore në Bashkimin Evropian, ku vendet perëndimore po akordojnë më shumë të drejta për personat gay, ndërkohë që një gjë e tillë nuk ndodh në vendet qendrore dhe lindore të cilat po i rezistojnë këtyre tendencave.

Konservatorët sllovenë, u mbështetën edhe nga Papa Francesku, i cili i kërkoi vendit me shumicë katolike që të mbështesin familjen si pikë reference në shoqëri”. Por, deputetët e partisë së majtë të bashkuar, që fillimisht propozoi ndryshimin në ligj, tha se rezultati ishte vetëm një kthim i përkohshëm prapa. 

Sllovenia konsiderohet se është mes vendeve ish komuniste më liberale, por të drejtat e gay-ve mbeten një çështje e debatueshme. Në 2012-ën, zgjedhësit refuzuan dhënien e më shumë të drejtave për çiftet gej, në një referendum të ngjashëm.

Top Channel