Thaçi president, Mustafa: Zotohemi për respektim të marrëveshjes

21/12/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherazi kryetar i LDK-së, u zotua se do ta respektojë marrëveshjen me partnerin e koalicionit, PDK-në, për sa i përket zgjedhjes së Hashim Thaçit, President të Kosovës.

Kjo çështje është vënë në pikëpyetje për shkak se, disa deputetë të LDK-së kanë paralajmëruar votën kundër në Kuvend. Shefi i ekzekutivit kosovar mori pjesë të hënën në përurimin e një segmenti të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.

“Gjithsesi, zotohem se marrëveshja do të respektohet tërësisht. Nuk ka asnjë arsye, që Thaçi të mos jetë President, sepse ne do t’ia sigurojmë votën si LDK, ashtu siç e kemi përcaktuar me marrëveshje”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Si kundërpërgjigje ndaj qëndrimeve të opozitës, se krimi dhe korrupsioni kanë shënuar rritje në qeverisjen PDK-LDK, kryeministri Mustafa deklaroi se në qeveri nuk ka asnjë rast korrupsioni.

Kryeministri Mustafa ftoi sërish organet e hetuesisë, që të zbardhin rastet e djegies së veturave zyrtare. Sipas tij, qëndrimi zyrtar do të jepet pasi policia të publikojë rezultatet hetimore, pavarësisht nga fakti se zyrtarë të LDK-së e kanë bërë fajtore opozitën.

“Ne nuk kemi dhënë qëndrim partiak. Ne dëshirojmë që organet e hetuesisë ta zbardhin dhe të gjejnë se kush po i bën këto. Pasi ta bëjnë organet e hetuesisë, do të japim edhe ne vlerësimet tona. Ajo që ne do të mendonim si parti, ashtu siç edhe nënkryetari i LDK-së tha, veprimet e tilla duhet domosdoshmërisht të ndalen. Askush nuk ka të drejtë që të shkatërrojë pronën publike ose që t’u vejë zjarrin automjeteve. Kjo nuk është e drejtë e askujt dhe nuk mundet askush ta shfrytëzojë këtë, si mënyrë lufte politike”, tha më tej Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Sa u përket projekteve infrastrukturore, në të cilat është duke punuar qeveria, kreu i qeverisë tha se në kuadër të programit me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë detyrime, që të barazohet standardi i rrugëve me ato europiane, duke shtuar se në këtë drejtim po punohet në dy rrugë, në vazhdimin e rrugës “Ibrahim Rugova” dhe në rrugën drejt Shkupit.

Ministri i Infrastrukturës, Lufti Zharku bëri të ditur se, gjatë vitit të ardhshëm parashikohen të realizohen rreth 100 projekte të reja infrastrukturore në mbështetje të komunave, vlera e përgjithshme e të cilave është rreth 80 milionë euro.

Top Channel