Kufiri me Malin e Zi, SHBA: Në përputhje me Kushtetutën jugosllave dhe pakon e Ahtisaarit

21/12/2015 00:00

Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson se, demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi është bërë në përputhje me Kushtetutën jugosllave të vitit 1974 dhe pakon “Ahtisaari”. Kjo vjen pas një ekspertize, që vet amerikanët i kanë bërë këtij procesi, pas tensionimit të situatës politike në Kosovë, thonë burime zyrtare brenda institucioneve.

Në një komunikatë të shkurtër të Departamentit amerikan të Shtetit bëhet e ditur se, janë shqyrtuar hartat nga viti 1940 deri më sot, duke përfshirë edhe ato që ka shfrytëzuar komisioni qeveritar për përcaktimin e kufirit.

Rjedhimisht, siç thuhet në komunikatë, DASH ka kuptuar se vija e përcaktuar së fundmi përputhet ngushtë me kufirin e përcaktuar në Kushtetutën e vitit 1974. “Kufijtë që kemi përshkruar me që nga viti 2008 përputhen në hollësi me kufirin e propozuar në vitin 2015”.

Departamenti amerikan i Shtetit thekson gjithashtu se, baza e komisionit për shënimin e kufirit ka qenë Kushtetuta jugosllave e vitit 1974, e cila e ka përcaktuar kufirin e Kosovës me anë të kufijve administrativo-komunalë, që janë të ndarë në zona kadastrale.

Kjo bazë e përcaktimit të vijës kufitare është përdorur edhe në pakon e Marti Ahtisaarit dhe në Kushtetutën e vitit 2008 të Republikës së Kosovës.

“Ne nënvizojmë se përmbyllja e marrëveshjes për demarkacionin kufitar është një kusht i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm të Kosovës në rrugën drejt integrimit europian”, thuhet në mbyllje të komunikatës së Departamentit amerikan të Shtetit.

Të menjëhershme kanë qenë reagimet përshëndetëse dhe kundërshtuese ndaj këtij raporti. Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, nëpërmjet një postimi në Facebook e cilësoi të besueshëm raportin e DASH-it për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, i cili – siç thotë ai, – rikonfirmon se vendimi për demarkacion ka qenë i drejtë, profesional, ligjor dhe kushtetues.

Ai rithekson se, SHBA-të, Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur në bazë të tërësisë territoriale dhe kufijve aktualë të shtetit të Kosovës. Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh edhe njëherë bindjen, se janë bërë gabime jo të vogla në demarkacionin me Malin e Zi. AAK-ja e Haradinajt kundërshton faktin se, kriter kryesor për përcaktimin e kufirit shtetëror Kosovë-Mali i Zi është e dhëna kadastrale.

Ky subjekt politik këmbëngul në themelimin e një komisioni të ri të besueshëm, duke pasur edhe ekspertë ndërkombëtarë, në mënyrë që – siç thuhet, – t’i vihet pikë kësaj çështjeje. Të kontaktuar me telefon, zyrtarë qeveritarë konfirmuan se qeveria do ta themelojë komisionin për rivlerësimin e demarkacionit me Malin e Zi, pjesë e të cilit do të jetë edhe opozita.

Top Channel