Zgjedhjet përçajnë Spanjën, askush nuk do të qeverisë më Rajoy

21/12/2015 00:00

Rezultati i zgjedhjeve të së dielës ka shembur sistemin dypartiak në Spanjë dhe për herë të parë në më shumë se tre dekada, si të djathtët popullorë, ashtu edhe të majtët socialistë, nuk mund të formojnë qeverinë.

Partia Popullore e Mariano Rajoy fitoi shumicën e karrigeve në parlament, por pa mundur të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e vetme. Po ashtu edhe socialistët, që dolën të dytët.

Surpriza e Podemos, një lëvizje e majtë radikale e ngjashme me Syriza-n në Greqi, renditet e treta, ndërsa të katërtët janë radhitur të djathtët liberalë “Cuidadanos”, (Qytetarët).

Socialistët dhe Podemos kanë mohuar kategorikisht mundësinë e një koalicioni me Popullorët dhe një aleancë mes këtyre të fundit dhe “Cuidadanos” nuk siguron shumicën e nevojshme për formimin e kabinetit.

Kjo ka futur politikën vendase në bisedime të ethshme për ngritjen e kabinetit të ri. Udhëheqësi i socialistëve, Pedor Sanchez deklaroi se i njeh të drejtën Mariano Rajoy për përpjekjen e parë për formimin e kabinetit qeveritar.

Analistët ndërkombëtarë dhe vendas thonë se ashtu siç duken gjërat, deri më tani të paktën, kryeministri në detyrë e ka thuajse të pamundur ngritjen e kabinetit të ri qeveritar. Po aq të vështirë e kanë edhe socialistët, edhe këta të refuzuar nga Podemos, që në program ka “çrrënjosjen” e dy partive të mëdha tradicionale që i fajëson për gjendjen aktuale ekonomike të vendit. Ndërkohë, një aleancë mes socialistëve dhe “Cuidadanos” nuk siguron shumicën e nevojshme.

Sipas analistëve ndërkombëtarë, Spanjë ndodhet në një udhëkryq të madh dhe dy janë zgjidhjet, ose vendi do t’i drejtohet sërish zgjedhjeve, ose dy partitë e mëdha do të lëshojnë shumë terren ndaj kërkesave të dy partive të reja, që kanë siguruar elektorat duke shpalosur një program agresiv kundër masave shtrënguese ekonomike.

Socialistët dhe Popullorët dominonin politikën spanjollë prej vitit 1970 të pashqetësuar duke ndryshuar rolet pushtet-opozitë.

Top Channel