Ukraina, BE zgjat me 6 muaj sanksionet ekonomike ndaj Rusisë

21/12/2015 00:00

Bashkimi Europian zgjati këtë të hënë sanksionet ekonomike të tij kundër Rusisë, për shkak të konfliktit në Ukrainë, deri në fund të korrikut të ardhshëm, duke nxitur kështu një reagim të ashpër nga ministri rus i Ekonomisë.

BE-ja e ka lidhur heqjen e sanksioneve me implementimin e plotë të marrëveshjes së paqes në Ukrainën lindore, ku më shumë se 9 mijë persona kanë mbetur të vrarë gjatë luftimeve mes forcave ushtarake të Kievit dhe rebelëve separatistë të mbështetur nga Rusia, që prej prillit të vitit 2014.

Disa diplomatë thonë se kjo mund të jetë hera e fundit e mbetjes në fuqi të masave ndëshkuese, që prekin sektorët financiarë, të energjisë dhe të mbrojtjes së Rusisë, pasi Franca dhe disa prej vendeve të tjera të BE-së duan të rinisin marrëdhëniet me Moskën, kryesisht mbi çështje si lufta kundër terrorizmit dhe dhënia fund e luftës civile në Siri.

Të tjerë thonë se nuk mund të ketë riafrim të palëve deri në përmbushjen e plotë të kushteve të marrëveshjes së paqes për Ukrainën, ku kriza politike e nisur në fundin e 2013-s u përshkallëzua së tepërmi, duke u kthyer në përplasjen më të ashpër mes Moskës dhe Perëndimit që prej Luftës së Ftohtë.

Shtyrja e sanksioneve nga BE-ja ishte njoftuar paraprakisht nga të dërguarit e bllokut që prej së premtes, por këtë të hënë u konfirmuan pasi asnjë shtet anëtar nuk shprehu ndonjë kundërshti.

Duke folur nga Brukseli këtë të hënë, ministri rus i Ekonomisë, Alexei Ulyukayev tha se sanksionet e BE-së ishin “tërësisht të papranueshme dhe joefektive”. “Gradualisht, ato vende që nisën sanksionet janë duke kuptuar pikërisht këtë, madje ne shohim se kjo po kthehet në një çështje të shumëdiskutuar në të gjithë Europën. Shpejt a vonë, ne presim që mirëkuptimi të mbizotërojë dhe të merret një vendim për të hedhur poshtë këto sanksione”, tha ai.

Sanksionet, të kombinuara me rënien e çmimit botëror të naftës kanë peshuar së tepërmi mbi ekonominë ruse, e cila është ndrydhur me 4,1 për qind brenda një viti, nga tremujori i tretë i 2014-s deri në tremujorin e tretë të 2015-s.

Top Channel