Obama: Trump më sulmon sepse jam me ngjyrë

22/12/2015 09:20

Edhe Barack Obama ka shigjetuar në mënyrë direkte Donald Trump, duke trajtuar temën më delikate në Shtetet e Bashkuara: diskriminimin racor.

Pas një seri fjalimesh për kohezion kombëtar kundër terrorizmit, presidenti ka dhënë një intervistë për Radion Publike Kombëtare, duke prekur temën kyçe.

“Zoti Trump ka kapitalizuar frikën e klasës punëtorë, por edhe dyshimet e përhapura në disa pjesë të elektoratit republikan, që lindin nga fakti se unë jam presidenti i parë me ngjyrë”, ka deklaruar Obama.

Në prill të vitit 2011, Trump kreu një fushatë personale kundër Obamës, duke insistuar se ai nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara dhe për rrjedhojë duhet të linte Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur për stacionin radiofonik, Obama nuk i ka përmendur akuzat, por referimi ndaj këtyre deklaratave, që në atë kohë qarkulluan në mbarë organet mediatike, ka qenë i qartë.

“Në Partinë Republikane ekzistojnë forca sipas të cilave unë, në njëfarë mënyre, jam ndryshe. Jam një mysliman, një person jo besnik ndaj vendit, e të tjera. Të gjitha këto, gjëra që për fatin e tyre të keq janë larg realitetit, por që mbështeten dhe përdoren nga disa përfaqësues të zgjedhur nga Partia Republikane. Në njëfarë mënyre, unë përfaqësoj atë ndryshim që i tremb ata”, ka thënë Obama.

Më tej, Obama ka pohuar se frika dhe shqetësimet e përhapura sidomos me punëtorëve të industrisë së rëndë janë të lidhura me ndryshimet e strukturës së ekonomisë amerikane.

Për rrjedhojë, sipas tij, Trump edhe në këtë rast po spekulon mbi probleme që nuk mund t’i zgjidhë. Tani le të presim reagimin e miliarderit njujorkez.

Një ditë më parë ishte radha e Hillary Clinton, që e kishte cilësuar pasanikun si “rekrutuesin më të mirë të ISIS”, të binte pre e shigjetimeve të tij. “Hillary gënjen. Pres të më kërkojë falje për këtë histori të neveritshme”, tha ai.

Top Channel