Jeni ndarë nga partnerja dhe shfrytëzoni fotot e bëra dikur me të?

22/12/2015 00:00

Sapo je ndarë nga një partnere? Ke tentuar ndonjëherë të publikosh fotot apo videot intime me të nëpër rrjete sociale? Mos e bëni këtë nëse jeni në Gjermani…

Gjykata më e lartë e Gjermanisë ka urdhëruar një person të shkatërrojë fotot dhe videot me ish-partneren e tij, sepse ekzistenca e tyre është në shkelje të të drejtave të saj për privatësi. Gjykata Federale shtoi gjithashtu se personi, me profesion fotograf, nuk duhet të zotërojë më fotot nudo apo videot intime të regjistruara me ish-të dashurën, edhe sikurse ai të mos ketë ndërmend t’i publikojë ato.

Gruaja kishte dhënë fillimisht mirëkuptimin e saj për ndarjen e atyre imazheve, por ky mirëkuptim ka marrë fund me dhënien fund të marrëdhënies mes tyre, argumentonte më tej gjykata. Gjermania njihet si një prej vendeve me ligjet me të ashpra të privatësisë në Europë.

Gjykata Federale ishte përfshirë në këtë çështje për të dhënë zgjidhje mbi një grindje mes një ish-çifti, të cilët kishin debatuar gjatë mbi faktin nëse duhej apo jo mashkulli t’i fshinte fotot dhe videot intime. Në vendimin e saj, gjykata thoshte se kushdo kishte të drejtën të vendoste nëse do t’i lejonte të tjerët të kishin qasje në jetën e tyre private, përfshi këtu cilin dhe në ç’mënyrë do ta bënte.

Por, gjykata njoftoi në këtë rast se, duke i mbajtur fotot, fotografi mund të kishte një farë “fuqie manipuluese” ndaj ish-të dashurës së tij. Ndaj dhe ai nuk duhet ta ketë më të drejtën të zotërojë të tilla materiale me të mbaruar marrëdhënia.

Një “dënim” i rëndë mund të duket për disa, por ka edhe nga ata që ngrejnë dyshime sesi mund të zbatohet ky lloj vendimi.

Top Channel