“Topi i Artë”, Davids: Messi është një anomali e futbollit

22/12/2015 00:00

Afrimiteti i Edgar Davids me fituesit e çmimit më të rëndësishëm në botë për futbollistët daton prej një kohe të gjatë, shumë më të gjatë sesa ai të ftohej për të shpallur finalistët e “Topit të Artë 2015” gjatë muajit të kaluar.

Përgjatë karrierës së tij 23-vjeçare si profesionist, i ashtuquajturi “Pitbull” ka luajtur në krah të një sërë futbollistësh të mëdhenj, të kurorëzuar edhe nëpër mbrëmjet gala të përvitshme të FIFA-s, duke nisur që me kujtimin e sezonit të mrekullueshëm të Zinedine Zidane në vitin 1998.

“Ai mori vlerësimin më të lartë dhe vetëm pak ditë më pas, u shfaq në qendrën stërvitore të Juventusit me nga një dhuratë për secilin prej shokëve të skuadrës. Nuk do ta harroj kurrë atë. Ishte Zidane”, kujton holandezi.

Ish-futbollisti i Holandës, tashmë 42 vjeç, ka luajtur gjithashtu edhe në krah të lojtarëve më të mirë të FIFA-s ndër vite, si George Ëeah apo Ronaldinho, teksa tashmë përpiqet të shpjegojë se çdo të thotë që dy futbollistë të dominojnë betejën për vlerësimet më të rëndësishme individuale, ashtu siç po bëjnë faktikisht Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, që prej vitit 2008.

“Është e pabesueshme, ajo çfarë ata kanë arritur deri më tani dhe ajo që ende po kërkojnë të arrijnë. E adhuroj Ronaldon, sepse është i jashtëzakonshëm, punon shumë. Nëse Messi nuk është në majë, është e sigurt që ai do të jetë atje dhe i përgatitur për të qenë në majë”, thotë Davids, për të cilin gjithsesi favoriti se kush pritet të kurorëzohet në galanë e 11 janarit në Zyrih mbetet aspak mister.

“Nëse është në gjendje të mirë, shumicën e rasteve do të ishte Messi favorit. Por bëhet fjalë për një lojtar jo normal, ai është një anomali e futbollit botëror. Sa u përket të tjerëve, të gjithë në radhë duhet të presin deri sa ai të dështojë dhe të bjerë në nivel paksa”.

Top Channel