Parandalohet një sulm terrorist në Francë

23/12/2015 00:20

Policia franceze ka parandaluar një sulm terrorist ndaj personelit të policisë dhe të ushtrisë në rajonin e Orleans. Lajmi është publikuar nga ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, i cili tha të martën se dy persona janë arrestuar në lidhje me këtë rast më 19 dhjetor.

Cazeneuve tha se dy të rinjtë, përkatësisht 20 dhe 24 vjeç, mendohet se kanë pasur kontakte me një shtetas francez, i cili aktualisht ndodhet në Siri. Ministri i Brendshëm francez foli të martën nga qyteti jugor i Tuluz, duke thënë se vetëm brenda vitit 2015, në Francë janë parandaluar 10 sulme terroriste.

Një nga të arrestuarit ka treguar se kishte si synim të sulmonte oficerët e policisë, si dhe personelin ushtarak.

Hetuesit mendojnë se të dyshuarit kishin siguruar para dhe po kërkonin të blinin armët. Një prej të rinjve të arrestuar është raportuar të jetë me origjinë marokeni, ndërsa tjetri mendohet të jetë nga Togo.

Franca u përfshi nga sulme të përgjakshme më 13 nëntor të këtij viti, ku më shumë se 130 persona mbetën të vdekur.

Cazeneuve tha se që pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në muajin nëntor, 3414 personave i është ndaluar të futen në Francë, “për shkak të rrezikut që ata paraqesin për sigurinë dhe rendin”.

Ndërkohë, 5 persona janë arrestuar në dy operacione të forcave speciale belge, njëri mbrëmjen e së dielës dhe tjetri në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne. Blicet janë ekzekutuar në disa shtëpi në Bruksel në kuadër të hetimeve mbi sulmet e 13 nëntorit në Paris, që u morën jetën 130 personave.

Top Channel