“Amnesty International”: Mbi 200 civilë të vrarë në Siri nga sulmet ruse

23/12/2015 00:00

Bombat ruse kanë vrarë 200 civilë në Siri, thotë “Amnesty International” në një raport të saj të mbështetur te rrëfimet e dëshmitarëve okularë dhe aktivistëve.

Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut pohon se, ka verifikuar nga larg mbi 25 sulme të Moskës të ndërmarra në 5 zona të ndryshme, nga 30 shtatori deri më 29 nëntor. Ajo çfarë zbuloi ishte dështimi serioz i Rusisë për të respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar.

Moska i ka mohuar në mënyrë të përsëritur vdekjet në radhët e civilëve, e të tilla pretendime vazhdon t’i përshkruajë si pjesë të një “lufte informacioni”. Fushata ajrore e saj kundër objektivave të Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera në Siri nisi në shtator, me kërkesë – siç thotë, – të Presidentit sirian Bashar al-Assad.

Por që në fillimet e bombardimeve u akuzua shumë shpejt se, në vend që të shënjestronte militantët e dhunshëm islamikë të ISIS-it, po godiste rebelët e moderuar, kundërshtarë të Assadit, që mbështeten nga Perëndimi.

“Amnesty” sqaroi në raportin e saj se, ka verifikuar sulmet ruse në Homs, Hama, Idlib, Latakia dhe Aleppo. Përmes telefonit apo internetit, ajo ka mundur të kontaktojë me 16 dëshmitarë të sulmeve dhe momenteve pas tyre. Në mesin e këtyre njerëzve ka mjekë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Përpos kësaj, “Amnesty” ka siguruar e verifikuar prova audiovizuale mbi bombardimet e është konsultuar edhe me ekspertë të armëve. Raporti jep detaje të shumta për 6 sulme. Një prej shembujve të ofruar është ai i datës 29 nëntor. 49 civilë u vranë atëherë dhe shumë të tjerë u plagosën, kur 3 raketa goditën një treg të hapur në Ariha, në provincën e Idlibit.

Persona që ishin në vendngjarje dhe aktivistë tregojnë se, në afërsi të tregut të goditur nuk ka asnjë objektiv ushtarak. Organizata këmbëngul po kështu në ekzistencën e provave, që tregojnë se ushtria ruse ka përdorur në mënyrë të paligjshme, në zona të banuara, raketa e municione thërrmuese.

Deri më tani, autoritetet ruse nuk kanë bërë asnjë koment publik lidhur me akuzat e “Amnesty International”, por raportet e mëparshme të këtij lloji, Kremlini i ka përshkruar si përpjekje për diskreditimin e operacioneve të tij në Siri.

Top Channel