NBA, “rilind” Kobe Bryant (Video)

23/12/2015 10:40

Shkëlqen Kobe Bryant, fiton Los Angeles Lakers. Skuadra kaliforniane mundi në ndeshjen e saj të radhës Denver Nuggets me rezultatin 111-107, duke regjistruar suksesin e pestë sezonal, që gjithsesi e lë këtë skuadër në vendin e fundit të Konferencës së Perëndimit.

Bryant ishte në ditën e tij më të mirë dhe e mbylli këtë ndeshje me 31 pikë, kuota më e lartë e arritur prej tij në këtë sezon. Për Denver ishte e pamundur që të përballej me lojën e skuadrës kundërshtare dhe u detyrua të pranojë këtë humbje, që është e 17 sezonale për të.

Detroit Pistons pushtoi Majemin, duke mposhtur Miami Heat në “American Airlines Arena” me rezultatin 93-92. Gjithçka erdhi në çastet e fundit të takimit, kur Caldwell-Pope shënoi pikët e fitores për Detroit. Në krahun tjetër, Bosh dhe Wade nuk mundën dot të shënonin për skuadrën nga Florida, ndërkohë që sfidën e mbyllën respektivisht me 20 dhe 19 pikë.

Fitore shënoi edhe Toronto Raptors që gjunjëzoi Dallas Mavericks me rezultatin 103-99, ndërsa Memphis Grizzlies e pati shumë të lehtë sfidën me Philadelfia 76ers, të cilën e mbylli 104-90, duke i shkaktuar 76sers humbjen e 29 sezonale.

Top Channel