2015-a, viti i terrorit për Europën

23/12/2015 00:00

Viti 2015 për Europën ka qenë një vit terrori. Të vdekurit janë të shumtë, rrjedhoja është lufta kundër Shtetit Islamik. Ky vit nisi ashtu siç edhe përfundoi, me sulme terroriste në Paris, thotë Bernd Riegert, në një artikull për “Deutsche Welle”.

Në janar, – kujton ai, – në kryeqytetin francez u shënjestruan revista satirike “Charlie Hebdo” dhe një supermarket hebre. 17 vetë ishin asokohe të vrarët. 130 ishin jetët e humbura nga sulmet e terroristëve islamikë më 13 nëntor, po në Paris.

Në janar, shefi i Elizesë, Francois Hollande foli për një barbari monstruoze, tani në fund të vitit sheh kombin në luftë kundër “Shtetit Islamik”, në dukje gjithmonë e më të fuqishëm e me aktivitet të zgjeruar në Siri, Irak dhe Afrikën e Veriut.

Por në Francë pati edhe disa sulme të tjera më të vogla. Në prill, një grua vdes nga plumbat e një atentatori, i cili donte të sulmonte një kishë të krishterë. Në qershor, një fabrikë gazi në Lion shpëton për pak nga një sulm. Në gusht, një atentator islamik u ndalua nga pasagjerët në trenin e shpejtësisë së lartë “Thalys”, përpara se të hidhej në sulm. Më 18 nëntor, një hebre u sulmua në rrugë me thikë.

Në Danimarkë, në shkurt vdesin dy persona nga sulmet në një qendër kulturore dhe në një sinagogë. Danezët i shpallin luftë terrorit. Komplote me sfond terrorist regjistrohen edhe në Berlin e Londër. Të goditura rëndë janë ndërkohë Turqia dhe Rusia.

Nga shpërthimet në Ankara e Suruç, e më vone nga rrëzimi i avionit rus me pasagjerë mbi Sinai, vdesin qindra vetë, edhe ata viktima të radikalëve islamikë. Në këtë situatë, BE-ja duket se po mobilizohet e premton bashkëpunim më të mirë mes policisë dhe shërbimeve sekrete.

Pasojat janë kontrolli më i rreptë i udhëtimeve dhe transfertave të parave. Megjithatë, mullijtë e burokratëve bluajnë ngadalë, – thotë Riegert. – Në fillim të vitit dëgjohen të njëjtat pohime dhe kërkesa si në fund të tij, ndërsa për zbatimin e premtimeve mund të duhen muaj, e ndonjëherë edhe vite.

Top Channel