Barça do ta nisë 2016-n me rinovimet për MSN-në dhe Busquets

23/12/2015 00:00

Barcelona do ta nisë vitin 2016, duke punuar për rinovimin e kontratave të disa prej yjeve të saj. Bëhet fjalë për Messin, Suarez, Neymar dhe Busquets.

Për brazilianin Neymar, kjo çështje është praktikisht e mbyllur. Sulmuesi 23-vjeçar do të firmosë një kontratë të re me një pagë të trefishuar. Në këtë moment, Neymar përfiton një pagë prej 10.5 milionë euro bruto në sezon dhe, me zgjatjen e kontratës, ajo pritet të shkojë në 30 milionë euro bruto, për t’u bërë futbollisti i dytë më i paguar në skuadrër.

Përsa i përket Busquets, në kontratën e mesfushorit nuk do të ketë ndryshime në lidhje me afatin e saj, duke qenë se ai e firmosi rinovimin sezonin e kaluar, por do të ketë një rritje të pagës së tij, gjë që futbollistit iu premtua nga bordi drejtues.

Për kontratën e Luis Suarezit do të mendohet pasi të aplikohet rritja e pagës së Neymar. Kontrata parashikon një pagë më të ulët për uruguajanin, në krahasim me atë të Neymar, por në klub e dinë shumë mirë se edhe në rastin e Suarez do të duhet të aplikojnë një përmirësim të termave financiare.

Dhe në fund Lionel Messi, kontrata e të cilit skadon në vitin 2018. Kjo do të jetë çështja më e vështirë, me të cilën do të përballet Barcelona, drejtuesit e së cilës kërkojnë që argjentinasi të mbyllë karrierën pikërisht te kampionët e Spanjës, edhe pse ofertat marramendëse në drejtim të tij nuk mungojnë.

Top Channel