Kosovë, opozita: Gjyqësori jo parimor me dënimet e deputetëve

23/12/2015 00:00

Opozita e bashkuar në Kosovë akuzon gjyqësorin se, është joparimor gjatë shqiptimit të masave për deputetët e opozitës dhe qytetarët e tjerë.

Në konferencën e sotme për shtyp nga selia e Vetëvendosjes, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi tha se deputetët e opozitës janë dënuar në forma të ndryshme për vepra të njëjta, të cilat i kanë bërë edhe të tjerë shtetas.

Ai mori shembullin sesi një qytetar, po këtë vit ka kryer të njëjtën vepër duke hedhur gaz lotsjellës, dhe për atë është dënuar me 400 euro, ndërsa deputetët ose mbahen në burg, ose në arrest shtëpiak për të njëjtën vepër.

Gjithashtu, sipas tij ka një diskriminim në masën e shqiptimit edhe për vet deputetët, të cilët edhe pse kanë kryer vepra të njëjta nuk janë dënuar njësoj.

Bajram Ajeti nga “Nisma” tha se, është shkelur Kushtetuta dhe se, është thyer ligji për deputetët, e njëkohësisht edhe rregullorja e punës së Kuvendit. Sipas tij, përjashtimi dhe arrestimi i deputetëve të opozitës nga Kuvendi është një vendim arbitrar i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe i Kryesisë.

Sa i përket vlerësimit të Departamentit amerikan të Shtetit për demarkacionin me Malin e Zi, Muhamet Kelmendi tha se, ai qëndrimin është i papranueshëm, sepse nuk është bërë nga terreni, por në bazë të dokumentacionit që i është dhënë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, në momentin që ky vendim të anulohet dhe të merret vendimi për shpërbërjen e komisionit, atëherë opozita do të jetë e gatshme të bisedojë me Qeverinë për formimin e komisionit të ri.

Top Channel