Prishtinë, LDK feston 26-vjetorin. Mustafa bën thirrje për dialog

23/12/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa paralajmëroi se procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës do të përmbyllet në vitin 2016.

Tema të tjera, veçanërisht bllokimi i punës së Kuvendit për një sesion të plotë, zunë vend në fjalimin e kryeministrit Mustafa në ceremoninë e shënimit të 26-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas Mustafës, dialogu me Serbinë nuk është një proces i lehtë, por që Kosovës i duhet ta përmbyllë këtë kapitull që çon në normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

“Në vitin 2016 qeveria e Kosovës do të përmbyllë edhe shumë procese me rëndësi, do të punojmë fuqishëm në shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, dhe kjo mbetet prioritet i yni. Kosova do ta ketë ushtrinë e saj, e cila do të formohet në bazë të kushtetutës së Kosovës dhe në harmoni të plotë me standardet dhe rekomandimet e NATO-s duke besuar se nuk do të jetë e largët dita kur Kosova do të bëhet edhe pjesë e Aleancës Veri-Atlantike”, deklaroi Mustafa.

Sa i përket bllokimit të punës së institucioneve, kreu i ekzekutivit kosovar tha se dialogu është alternativa e vetme për zgjidhjen e problemeve me bllokun opozitar. Udhëheqja e shtetit dhe qeverisja nënkupton lidership shtoi Mustafa, duke arsyetuar kështu se nganjëherë ky lidership duhet të jetë i gatshëm të marrë vendime të vështira që nuk kanë të bëjnë me politika ditore të një qeverie.

Duke folur për LDK-në, ai tha se ka qenë përherë në shërbim të interesave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës dhe nuk do të lëkundet nga kjo rrugë.

“Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, LDK-ja vuri themelet e shtet ndërtimit në Kosovë me trinomin e shenjtë ‘liri, pavarësi, demokraci’, që në fakt u bë programi nacional i shqiptarëve të Kosovës. Ndërkaq, në plan ndërkombëtar të kauzës sonë për mëvetësi, fryma politike e LDK-së dhe Presidentit Rugova mori miratim global ndërsa vet ai u shndërrua në një mit të formatit të Gandhit duke e ngjallur simpatinë dhe mirëkuptimin e mbarë botës për popullin e Kosovës dhe për aspiratat e tij për liri”, vijoi Mustafa.

Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua më 23 dhjetor të vitit 1989 rreth së cilës u bashkuan intelektualë dhe njerëz të shquar të botës akademike të kohës. LDK shumë shpejt u  shndërrua në një lëvizje politike që mori mbështetjen e mbarë popullit shqiptarë të Kosovës.

Figura e themeluesit të kësaj partie dhe më vonë edhe President i Kosovës, Ibrahim Rugovës, ashtu sikurse në secilin përvjetor, edhe këtë vit, nderohet me homazhe nga udhëheqësit aktualë të partisë pranë varrit në lagjen “Velania” të kryeqyteit kosovar.

Top Channel