Kosovë, Kushtetuesja: Asociacioni, jo në përputhje me kushtetutën

23/12/2015 00:00

Gjykata Kushtetuese e Kosovës zbulon se marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është në përputhshmëri me  kushtetutën e Kosovës.

Bëhet fjalë për një devijim nga akti më i lartë juridik, neni 3 i tij flet për barazinë para ligjit dhe kapitujt 2 dhe 3 të kushtetues së Kosovës ku rregullohen të drejtat dhe liritë themelore dhe të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

“Parimet e elaboruara në Asociacionin ose Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, parimet e përgjithshme dhe elementët kryesore nuk janë në përputhshmëri me frymën kushtetuese”, thuhet në vendim.

Gjykata Kushtetuese thotë se është e brengosur për dykuptimësinë gjuhësore të përdorur në marrëveshjen e nënshkruar në tri gjuhët shqip, serbisht dhe anglisht.   Konkretisht bëhet fjalë për kuptimin e termit se “Asosacioni do të ketë vështrim të plotë në çështje që ndërlidhen me komunat”, por që në  anglisht kjo është përkthyer si “exercise full overview”.

Kjo është dy kuptimore dhe nuk është konform me termat e përdorura në tekstin e parimeve në gjuhën shqipe dhe as me ata në tekstin e parimeve në gjuhën serbe të cilat janë të ngjashme me kryerjen e auditimit ose kontrollit.

Gjykata gjen se Asociacioni nuk mund të vishet me autoritet të plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës në marrëdhënie me autoritete qendrore.

Kontrolli i financave të Asociacionit është një tjetër çështje për të cilat Gjykata Kushtetuese kërkon që ato të jenë në pajtim me Kushtetutën. Por, Kushtetuesja nuk hedhë poshtë krejtësisht marrëveshjen e cila nxiti përplasje të forta mes pozitës dhe opozitës nga momenti i nënshkrimit të saj në Bruksel me datë 25 gusht.

Vendimi i publikuar të mërkurën pasdite kërkon që, siç thuhet, parimet e marrëveshjes të elaborohen në një akt juridik dhe në statut në pajtim me Kushtetutën.

Gjykata i kërkon qeverisë që akti juridik dhe statuti që zbaton Asosacioni, për të qenë në pajtueshmëri me frymën kushtetuese, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jetë në pajtueshmëri veçanërisht me nenet 3, 7 dhe 12 në kapitullin e dytë të kushtetutës tek të drejtat dhe liritë themelore dhe me nenet 21 dhe 44 në kapitullin e tretë tek të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Po ashtu, qeveria duhet ta harmonizojë statutin e Asociacionit edhe me një seri nenesh të tjera të kushtetutës.

Top Channel