Vendimi për Asociacionin, opozita kërkon largimin e Mustafës dhe Thaçit

23/12/2015 00:00

Opozita e bashkuar ka deklaruar dhe argumentuar se marrëveshja e 25 gushtit me Serbinë e nënshkruar nga Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç në Bruksel është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe frymën e saj.

“Rrjedhimisht kjo marrëveshje dhe “Zajednica” në përgjithësi janë në kundërshtim me kushtetutën dhe si të tilla janë të vdekura. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, si dhe koalicioni i tyre duhet të japin përgjegjësi për shkelje të kushtetutës. Këta shkelën kushtetutën dhe mashtruan qytetarët duke u përpjekur ta fshihnin këtë mashtrim. Po ashtu, ata kanë vënë në lajthitje Kuvendin e Republikës, duke tentuar dhunshëm ta bëjnë atë pjesë të shkeljes së tyre të rëndë”, thuhet në deklaratën e opozitës.

Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kujtuan deklaratat e Mustafës dhe Thaçit të cilët cilësonin Asociacionin si OJQ dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Sipas partive opozitare, nën këto qëndrime, qeveria shpërfilli peticionin e firmosur nga mbi 200mijë qytetarë, arrestoi deputetë, aktivistë dhe qytetarë protestues.

“Ata na akuzuan se po shkelim ligjin teksa kishin shkelur Kushtetutën e vendit tonë, pra interesin tonë shtetëror. Prandaj largimi i menjëhershëm i Mustafës dhe Thaçi është i domosdoshëm dhe më e pakta që duhet të ndodhë”, përfundon deklarata e opozitës së bashkuar.

Top Channel