Bombardimet në Siri, AI: 200 civilë të vrarë nga sulmet ruse

23/12/2015 20:55

Të paktën 200 civilë mbetën të vrarë në sulmet ajrore ruse në Siri në dy muaj, deri në fund të nëntorit, thotë një raport i Amnesty International.

Duke cituar dëshmitarë, grupi i të drejtave të njeriut akuzon Rusinë se ka përdorur toga bombash në zona civile dhe kjo sipas tij mund të përbëjë krime lufte.

Ministria ruse e Mbrojtjes e hdodhi poshtë raportin duke i cilësuar informacionet e tij si “të rreme” dhe “klishe të rëndomta”. Gjithashtu, Moska zyrtare hodhi poshtë pretendimet për përdorimin e togave të bombave në zona të banuara.

Në raportin e saj, Amnesty deklaroi se po shqyrton shqetësime të ngritura edhe nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri.

Administrata amerikane rrallë herë ka folur për vdekje të civilëve në bombardimet e saj kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik, fushatën e të cilave e nisi në shtator 2014. Megjithatë, grupe për të drejtat e njeriut flasin për disa qindra viktima.

Ndërsa Rusia i nisi sulmet ajrore të saj në shtator, duke thënë se po vepronte me kërkesë të presidentit Bashar al Assad. Forcat ajrore ruse kanë goditur ISIS dhe grupe të tjera të konsideruara prej Moskës si terroriste, disa prej të cilave të mbështetura nga Perëndimi.

Në raportin e saj, Amnesty thotë se ka bërë hetime të thella për mbi 25 sulme ajrore ruse të kryera në Homs, Hama, Idlib, Latakia dhe Alepo në periudhën 30 shtator-29 nëntor.

Top Channel