Superiorja, Skënderbeu dimëron si kampion

23/12/2015 00:00

Skënderbeu e mbylli vitin 2015 si kampion i dimrit, ndërkohë që Partizani pësoi humbjen e dytë radhazi në këtë sezon.

Korçarët e Mirel Josës u mundën 3-1 në Vlorë nga Flamurtari, por kjo humbje nuk i trondit pozitat e tyre në vendin e parë, ndërkohë që i ka shërbyer vlonjatëve të shkëputen paksa nga fundi i klasifikimit.

Golat për vendasit u shënuan nga Lena në pjesën e parë, Grecak dhe Telushi në të dytën, ndërsa golin e vetëm të Skënderbeut e shënoi Olainka. 

Të kuqtë e Sulejman Starovës u mundën 0-1 nga Teuta në “Qemal Stafa”, duke e mbyllur vitin 2015 me dy humbje radhazi, -6 pikë në garën për titullin kampion. Goli i Lukiç vendosi sfidën në favor të durrsakëve të cilët tashmë ngjiten të vetëm në vendin e tretë.

Tirana mori 3 pikë të arta në “Zeqir Ymeri” pasi mposhti 0-1 Kukësin, duke i rrëmbyer këtij të fundit dhe vendin e katërt në klasifikim. Autori i golit të fitores bardheblu ishte Gentian Muçaj.

Fitoren më të thellë në javën e fundit të këtij viti e regjistroi Laçi, i cili shkatërroi 4-0 Tërbunin e vendit të fundit. Merita për këtë fitore të thellë shkon për sulmuesin nigerian Xhejms i cili shënoi 2 gola dhe ishte iniciatori i golit të Nimanit.

I është larguar zonës së ftohtë të klasifikimit edhe Vllaznia e cila mposhti 3-2 Bylisin falë dopietës së Cinarit dhe golit të Shtubinës.

Top Channel