Presidenti i Nigerisë: Kemi fituar luftën me Boko Haram

24/12/2015 12:05

Nigeria teknikisht e ka fituar luftën kundër grupit islamik Boko Haram, ka deklaruar presidenti i këtij vendi, Muhammadu Buhari.

Ai tha për BBC, se grupi militant nuk mund të mbështetet më në sulme të armatosura kundër forcave të sigurisë ose qendrave të populluara.

Sipas kreut të shtetit, grupi është i detyruar të luftojë me mjete eksplozive të improvizuara dhe të mbetet i fuqishëm në bastionin e tij të vetëm, shtetin Borno.

Për shumë kohë Boko Haram është përshkruar si një nga grupet terroriste më të rrezikshme në botë.

Kritikët e qeverisë nigeriane kundërshtojnë se, drejtuesit e saj e kanë ekzagjeruar me shkallën e suksesit kundër militantëve dhe se sa herë që ushtria ka deklaruar se e ka asgjësuar grupin, ai është riorganizuar.

Rebelimi 6-vjeçar i grupit në veri-lindje të Nigerisë i ka marrë jetën rreth 17 mijë personave, ka shkatërruar mbi 1 mijë shkolla dhe ka zhvendosur mbi 1.5 milionë njerëz.

Presidenti Buhari i ka dhënë kohë ushtrisë deri në fund të vitit për të mposhtur Boko Haram, një afat ky që ka gjasa të zgjatet pasi grupi po vazhdon bombardimet në disa zona, pavarësisht se ka humbur shumë terren.

Por ai i tha BBC se, xhihadistët janë dëbuar nga shtetet Adamaua dhe Jobe dhe se fusha e tyre e veprimit është tkurrur.

Top Channel