19-vjeçari kamikaz, babai: Tentova disa herë ta tërhiqja nga Siria

24/12/2015 14:21

“Do të doja shumë që gjërat të ktheheshin si më parë”. Mes ngashërimash, Najat Boutallis kujton të birin 19-vjeçar Abdelmalek. Muajin që shkoi, xhihadistët e Shtetit Islamik thanë se djali i saj kishte hedhur veten në erë në Irak.

Abdelmalek, nga qyteti belg i Kortrijk, po përgatitej për provimet në shkollë, kur një ditë papritur i tha të ëmës: “mos më prit për darkë, se nuk vij”.

Të nesërmen, familja mori një foto prej tij nga Turqia. 19-vjeçari kishte dalë aty bashkë me shokun e tij të ngushtë dhe i sqaronte fare shkurt se po nisej për në Siri.

Abdelmalek është vetëm një prej qindra të rinjve belgë të joshur nga ISIS në Siri e Irak, ku militantët i “dhuruan” edhe një emër lufte: Abu Nusaybah al-Baljiki.

Familjarët e tij janë berberë, një grup etnik nga Afrika e Veriut, por të sistemuar në Belgjikë me kohë. I ati, Idris Boutallis, udhëtoi dy herë drejt Sirisë me shpresën që ta bindte të birin të kthehej në shtëpi.

Por përpjekjet e dëshpëruara të tij nuk dhanë asnjë rezultat. Herën e parë nuk arriti as ta takonte. Të dytën, pas një kërkimi dyditor, e gjeti diku në afërsi të Rakës, kryeqyteti i vetëshpallur i Shtetit Islamik.

19-vjeçari refuzoi largimin dhe në bisedën me të atin këmbëngulte se do të plasnin në burg sapo të vinte këmbë në Belgjikë. Idris u përpoq ta sqaronte se kishte folur me autoritetet dhe kishte marrë prej tyre garancinë se djali nuk do të kalonte asnjë ditë prapa hekurave. Por i riu ishte i bindur se babai i tij gënjente.

Kërkuesi belg Montasser Alde’emeh, i cili në 2014-n kaloi tre javë në Siri me shpresën që të kuptonte se çfarë i shtyn gjithë këta të rinj belgë të shkojnë në atë vend, thotë se atje dhe në Irak ka pasur rreth 500 xhihadistë nga Belgjika.

Gati 70 prej tyre janë vrarë. Alde’emeh kishte rënë në kontakt edhe me vetë Abdelmalek Boutallis, pak a shumë në kohën kur i riu kishte vendosur emrin e tij në listën e kamikazëve vullnetarë. Lista të tilla gjenden në çdo kamp stërvitor të ekstremistëve.

Shumë të rinj europianë janë tërhequr nga ISIS përmes internetit, por Abdelmalek është rekrutuar lokalisht në Belgjikë. E ëma thotë se adoleshenti nisi të shfaqte papritmas interes për Islamin kur një mësues nisi ta pyeste mbi besimin e tij.

Nga ai moment, i riu filloi të frekuentonte një xhami të zonës dhe familja e vetë mendon se pikërisht aty është afruar nga një xhihadist që kishte luftuar më parë në Siri. Sipas ekspertëve, që prej muajit tetor numri i xhihadistëve belgë është rritur me të paktën 39 vetë.

Top Channel