Maqedoni, universiteti “Nënë Tereza” jo vetëm mësime në gjuhën shqipe

24/12/2015 00:00

A do të jetë shqipja, gjuhë kryesore në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, apo ky institucion i lartë i dijes do të funksionojë në 3 gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht?

Partia Demokratike Shqiptare, në opozitë, ka kërkuar që kjo dilemë, e cila buron nga projektligji për themelimin e universitetit të ri, të saktësohet përmes një amendamenti. Por, kërkesa e opozitës nuk u pranua, pasi ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi tha se, gjuha e punës së universitetit do të jetë shqipja dhe ajo përcaktohet me statutin e këtij institucioni.

“Kërkojmë, që nenit 1 t’i shtohet pika A, ku saktësohet dhe thuhet se, gjuha shqipe është gjuhë pune dhe gjuha e vetme nga e cila do të udhëhiqet ky universitet i lartë shkencor”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

“Në rishqyrtimet e dorëzuara nga Ministria e Arsimit deri te Këshilli për Akreditim, është e përcaktuar që veprimtaria të zhvillohet në gjuhën shqipe”, tha Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit në Maqedoni.

Pohimet e ministrit, deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi i ka quajtur mashtrime, duke thënë se partia shqiptare në pushtet, BDI, nuk është e aftë të themelojë në Shkup një universitet vetëm për shqiptarët.

“Këta e kanë shkatërruar procesin edukativo-arsimor dhe nuk janë në gjendje ta fusin Abetaren mbarëkombëtare në përdorim. Këta nuk kanë potencial të themelojnë një universtiet shtetëror në gjuhën shqipe në Shkup. Këto janë manipulime”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

“Është e parashikuar dhe e detyrueshme për çdo institucion të arsimit të lartë në Maqedoni, që dy programe mësimore në ciklin e parë mësimor t’i ketë në gjuhën angleze. Prandaj, në rishqyrtimet që ne kemi dorëzuar te Këshilli për Akreditim, shkruan se gjuhët, në të cilat do të zhvillohet procesi mësimor, do të jenë shqipja, maqedonishtja dhe anglishtja”, tha Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit në Maqedoni.

Ditët në vijim, Parlamenti pritet të miratojë ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Ndryshe nga Ademi, i cili këmbëngul se shqipja do të jetë gjuha kryesore e punës në këtë institucion, kryeministri Nikola Gruevski ka deklaruar se, mësimet do të zhvillohen në 3 gjuhë, atë maqedonase, shqip dhe anglisht. Ndërkaq, Qeveria ka paralajmëruar se, studentët e parë në universitetin “Nënë Tereza” do të mund të regjistrohen në tetor të vitit 2016.

Top Channel