Juristët: Qeveria të rregullojë statutin e Asociacionit. Shkarkimi i kryeministrit, pa baza juridike

24/12/2015 00:00

Çdo element, që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e vlerësoi si antikushtetuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Qeveria ka për detyrim ligjor ta rregullojë në statutin e Asociacionit.

Ky është vlerësimi i avokatit kosovar, Dastid Pallaska, i cili ka qenë i ftuari i Kushtetueses në cilësinë e “amicus curiae” apo “mikut të gjykatës”, për të dhënë qëndrimin juridik për parimet e përgjithshme të Asociacionit.

Ai tha se, qeveria nuk është e detyruar jurikisht ta rinegociojë marrëveshjen, pasi në marrëveshje parashikohej kontrolli nga ana e gjykatës i të gjitha dokumenteve, që e jetësojnë Asociacionin.

“Kjo do të thotë, që pala serbe ka pranuar, që parimet t’i nënshtrohen shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky është vendimi i Kushtetueses dhe qeveria e Kosovës, sikurse dhe palët e tjera, s’kanë zgjidhje tjetër përpos që t’i përmbahen atij. Për këtë arsye, qeveria tashmë e ka të detyrueshme, sipas ligjeve në Kosovë, që kur të fillojë punë për statutin t’i jetësojë parimet. Së pari, kjo duhet bërë në grupe teknike ekspertësh, për t’u jetësuar më pas”, tha Dastid Pallaska, avokat.

Në fakt, siç thotë avokati Pallaska, pjesa dërrmuese e pikave të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Rrjedhimisht, qeveria duhet ta hartojë statutin duke pasur për bazë pothuajse tërësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Njëra ndër pikat problematike është edhe ushtrimi i kompetencave themelore, ku Asociacioni fitonte cilësinë e një njësie shtesë të vetëqeverisjes lokale mbi komunat.

“Pikat që kanë të bëjnë me objektivat e Asociacionit me vështrimin e plotë, i cili mund të kuptohet si ushtrim i autoritetit mbi komunat; dhënia e funksioneve dhe shërbimeve publike për anëtarët e Asociacionit dhe banorët e tyre, që është shumë më keq; kompetenca që kanë të bëjnë me të drejtën e Asociacionit për të ndërmarrë nisma legjislative dhe të ketë një pozitë për të nisur çështje në Gjykatën Kushtetuese, si një organ i mandatuar me Kushtetutë për të mbrojtur të drejtat e veta kushtetuese; të gjitha këto janë cilësuar si antikushtetuese dhe si të tilla nuk mund të barten në statutin e Asociacionit. Ato do të mbesin gërma të vdekura në letrën e parimeve të përgjithshme”, tha Dastid Pallaska, avokat.

Duke dhënë një vlerësim për kërkesat e opozitës, që kryeministri të japë dorëheqje, avokati Pallaska tha se juridikisht nuk ka bazë për të kërkuar shkarkimin e kryeministrit për shkeljen e Kushtetutës, pasi vetëm Presidenti i Republikës mund ta pësojë për një shkelje të tillë, por nga ana tjetër në këtë temë ka vend për llogaridhënie politike.

Top Channel